10 mars 2011

Juvja: Viali në stol, Kapelo drejtor teknik

Klubi bardhezi po mendon të rikthejë ish-sulmuesin si trajner, i mbështetur nga “Don Fabio”

Çfarëdo që të ndodhë pas Çezenës ose në fund të këtij sezoni, një tjetër i dështuar, Juventusi është tashmë i vendosur për të ndryshuar sërish. E ardhmja e Del Nerit është vendosur dhe në klubin bardhezi, nuk bëhet gjë tjetër prej ditësh veçse po përpiqen të gjejnë një zgjidhje të këtij rebusi: kujt t’ia besojnë pankinën?

Kandidatura e Luka Vialit duket se është gjithmonë edhe më e fortë, por e reja më e fundit është përmendja e emrit të Kapelos, të cilit Anjeli do t’i besonte postin e drejtorit teknik. Për të ecur përpara me besim, “Zonja e vjetër” po sheh pas shpine, duke provuar të rilexojë faqet më të mira të historisë së saj.

Rinovimi i skuadrës është një çështje kohe, sepse nëse Viali në pankinë vazhdon të duket si një mundësi, klubi është i bindur se në çdo rast, do të duhen njerëz të aftë për të dominuar në një ambient të vështirë. Nga këtu, idea e Fabio Kapelos, i cili nuk do të kthehej për të bërë trajnerin, por do të ishte i kënaqur nëse do të futej në shoqërinë bardhezi me një detyrë tjetër.

Posti i tij do të ishte, as më pak dhe as më shumë, vendi i Bepe Marotës, të cilit Andrea Anjeli dëshiron t’i japë të paktën edhe një tjetër shans, duke i lënë mundësinë për të planifikuar edhe sezonin e ardhshëm. Një tjetër shans, ose duke e parë nga një tjetër aspekt, një mundësi të fundit.

Juventusi është i bindur se problemet nuk vijnë prej punës së Marotës, ndaj dhe e konfirmojnë ende drejtorin aktual të përgjithshëm. Nëse kampionati i ardhshëm nuk do të shkojë mirë, pas Del Nerit do të largohet edhe drejtuesi i dytë i rëndësishëm. Për të zëvendësuar Del Nerin, janë përmendur të gjithë emrat.

Është Viali, i aftë për të bërë trajnerin e përkohshëm në rast të një shkarkimi të menjëhershëm, ndërsa më pas janë edhe emrat e Deshampit, Spaletit, Kontes dhe deri tek Lipi. Mes këtyre, zgjedhja e drejtuesve duket të peshojë më tepër drejt ish-sulmuesit, i cili i ka rrëfyer miqve të tij se kërkon një kontratë të paktën 2-vjeçare.

Francezi, i cili ishte me juventinët edhe në Serinë B, i pëlqen tifozëve, të cilët e kanë konsideruar gjithmonë të mirë punën e tij. Të njëjtin mendim kanë edhe për Konten, i cili ka dështuar në të vetmen eksperiencë të tijën në Serinë A.

Lipi, për momentin, është vetëm një ide, edhe pse ai do të ishte në balotazh me Kapelon për një rol drejtuesi. Në fund Spaleti: Luçiano i pëlqen të gjithëve, por Zeniti është një problem i madh dhe vështirë se mund ta lenë të ikë italianin.

Pastaj a kemi siguri se Juve do t’i ofrojë ish-romanistit një pagë të lartë? Në fund flitet për Gasperinin. Juve mendon për të prej disa vitesh, por në fund nuk është bërë asgjë. Mbase mund të jetë edhe koha e duhur.
/JUVENEWS.TK/