05 mars 2011

Juve-Milan, 25 vite mes aleancave dhe rivalitetit


Gjatë presidencës së Berluskonit, rrugët e dy klubeve janë kryqëzuar shpesh në merkato

Nga pakënaqësitë fillestare për Donadonin dhe Lentinin, te puthjet dhe përqafimet në vitet e “Treshes”. Marrëdhëniet midis Juventusit dhe Milanit në epokën e Berluskonit nuk kanë pasur rrugë të mesme. Ose kundër: siç ka ndodhur në fillimet e Galianit, me Xhiampiero Bonipertin, presidenti që ka fituar gjithçka me Juven e “Avokatit”.

Ose bashkë: që kur klubi bardhezi në vitin 1994 ka kaluar në duart e Umberto Anjelit dhe të drejtuesve të rinj (Betega-Xhiraudo-Moxhi, Treshja). Në verën e vitit 1995 Robi Baxhio është sakrifikuar për talentin e ri Del Piero dhe Milani ka përfituar nga rasti për të marrë “Bishtalecin Hyjnor” për 9 milionë euro.

Më pas, viti 1997 dhe historia interesante e Edgar Davids. Holandezi u mor me kosto zero nga Ajaksi, por nuk arriti të integrohet me kuqezinjtë. Dhe ka kërkuar të largohet. E bukura është se marrëveshjen të dy klubet e kanë arritur më 30 nëntor, pak orë para përballjes direkte në “San Siro”.

Një provë kjo që tregon se marrëdhëniet kanë qenë më shumë se miqësore. Në korrikun e 2001-it Milani ka blerë sërish. Këtë herë është Inzagi që nuk shkon mirë me Del Pieron dhe kërkoi të ikë. 35 milionë euro kushtoi për gëzimin e të gjithëve, duke parë se Juventusi sapo zbuloi Trezegenë.

Dhe në 2002-in ka ardhur edhe pakti për të mos ndërhyrë në merkato për Alesandro Nestën. Kranjoti ishte i detyruar të shesë talentin e tij që pëlqehej edhe nga Interi. Por, Juventusi vendosi të tërhiqet duke ia lënë të lirë rrugën miqve kuqezinj, që e blenë lojtarin pikërisht në ditën e fundit të merkatos 22 milionë euro.

Për të dëshmuar korrektësinë midis dy klubeve ka ardhur edicioni i vitit 2005-së i Trofeut Berluskoni. Bufon dëmtohet dhe Milani e dëmshpërblen menjëherë Juven duke i dhënë borxh Abiatin. Në pranverën e 2006-ës, para “Calciopoli”-t, Zllatan Ibrahimoviç ishte i pakënaqur me Luçiano Moxhin që nuk pranon t’i ofrojë të njëjtën rrogë, që merrte Trezege (5 milionë euro).

Këtu vjen kontakti i parë me Milanin. Gati për të ndërhyrë. Por penalizimet sportive bllokuan edhe kuqezinjtë. Dhe në korrik Ibra shkoi në Milano, por në spondën zikaltër. Po ato javë luhet edhe “ndeshja” për Xhixhi Bufonin, por “Calciopoli” ka bërë që të dështojë edhe ky operacion.

Për të ardhur në ditët e sotme, me Andrea Anjelin, president i klubit. Del Neri kërkoi Storarin dhe Marota ia plotësoi dëshirën pa asnjë kundërshtim nga Galiani. Kështu, edhe bardhezinjtë në janar nuk kanë kundërshtuar për kalimin e Legrotalies te Milani.
/JUVENEWS.TK/