20 mars 2011

Del Neri shpreson të jetë edhe sezonin tjetër

Trajneri bardhezi i kërkon ndihmë tifozëve: Na mbështesni. E ardhmja ime? Nuk jam i përkohshëm këtu

Atmosfera qe rrethon Juventusin përpara sfidës ndaj Breshias nuk është nga më të mirat dhe Xhixhi Del Neri e di mirë këtë. “Vërshëllimat i marr unë përsipër, ndërsa skuadra ka nevojë për mbështetje. E kuptoj që tifozët janë të zhgënjyer, por nuk duhet të jenë të nxituar,” ka thënë trajneri. Sa i përket të ardhmes së tij, ai thotë: “Nuk ndihem një trajner i përkohshëm.

Jam trajneri i Juventusit dhe mendoj se më është dhënë mundësia për të punuar sa më mirë, nga ky moment e deri në fund të sezonit. Gjykimi ndaj meje do të varet edhe nga mënyra se si do të përfundojë kampionati, nga mënyra se si do të luftojmë dhe se si do iu imponohemi kundërshtarëve në këto 9 ndeshje të mbetura. Një trajner gjykohet për rezultatet, por besoj se një klub e vlerëson atë edhe për mënyrën sesi punon dhe për raportet që ka me lojtarët.

Është pikërisht raporti im me klubin dhe me grupin, me të cilin punoj, aspekti më pozitiv i këtij sezoni,” ka shtuar ai. “Ka qenë një sezon i veçantë dhe i vështirë për t’u inkuadruar,” analizon trajneri nga Akuilea. “E nisëm me marshin e duhur, por në janar ndodhi gjithçka, përfshirë edhe dëmtimet e rënda. Na është dashur të luftojmë edhe kundër fatit të keq, ndaj dhe do të kërkojmë të vazhdojmë kështu deri në fund.”

Në pritje të ndeshjeve të kombëtares italiane, Juventus dëshiron ta mbyllë sa më mirë muajin mars, që nuk ka dhuruar kënaqësinë që shpresonin të gjithë. “Duam të rikthehemi tek fitorja,” ka pranuar trajneri. “Jemi duke kaluar një moment të vështirë, duhet të vlerësojmë gabimet e bëra, por edhe të theksojmë aspektet pozitive të vëna re në ndeshjet kundër Milanit dhe Çezenës.” Del Neri do të ketë në dispozicion vetëm 3 sulmues, për 9 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni: “Kemi vetëm 2 mesfushorë të gatshëm për momentin, përveç problemeve në sulm.

Felipe Melo është ndalur, Sisoko mungon prej 1 muaji dhe është operuar. Ai do të ishte një element i besueshëm dhe duhet të kishte dhënë kontributin e tij në këtë moment, por u dëmtua me kombëtaren. Kemi emergjencë në sulm, në mesfushë, ndërkohë që kemi patur më parë në mbrojtje. Tashmë duhet të rikuperojmë sa më shumë lojtarë të jetë e mundur. Toni nuk është në formën e tij më të mirë, duke parë që ka disa ditë që nuk stërvitet me shokët e ekipit, por mendoj se mund ta grumbulloj. E njëjta gjë vlen edhe për Traore dhe Martinez.” E vetmja gjë e sigurtë në formacionin kundër Breshias, është dyshja e qendërmbrojtësve: “Do të luajnë Kielini dhe Bonuçi.”
/JUVENEWS.TK/