05 mars 2011

Del Neri: Milanin e kemi mundur edhe më parë

Trajneri i Juventusit beson se skuadra e tij do të ringrihet kundër kuqezinjve në “Olimpiko”

Milani është prova e së vërtetës për Juventusin dhe Del Nerin. Asnjë shqetësim për trajnerin bardhezi: “Për të ardhmen nuk shqetësohem pothuajse kurrë. Më pas do të jenë rezultatet dhe marrëdhënia me klubin që do të vendosin, - ka thënë ai.

Çdo ndeshje është vendimtare, kjo do të jetë një sfidë vendimtare për të gjithë. E dimë se do të kemi përballë një skuadër kompetitive me lojtarë të nivelit të lartë, por ne kemi disa armë që i kemi treguar në fazën e parë në Milano dhe që do t’i përdorim në fushë”.

“Askush, - ka vazhduar Del Neri, - nuk duhet të më thotë nëse do të jem trajneri i Juventusit, sepse ekziston një kontratë e nënshkruar, më pas është e qartë se në futbollin e sotëm gjithçka është e drejtë dhe nesër mund të jetë gjithçka e gabuar. Unë duhet të shqetësohem vetëm për të bërë mirë punën time.

Klubi ne na kërkon të japim maksimumin dhe ne kemi për detyrë ta bëjmë këtë”. Trajneri i Juventusit ka folur edhe për dëshirën e madhe të skuadrës për të fituar përballjen me kuqezinjtë. “Do të vazhdoj përpara në rrugën time dhe me idetë e mia, nuk kam ndryshuar kurrë dhe nuk kam ndërmend ta bëj tani.

Ne e dimë se mund të bëjmë më mirë. Lojtarët po japin maksimumin, duke e ditur se mund të bëhet më shumë. Kemi bërë shumë dhe mund të bëjmë akoma më shumë, skuadra është e vendosur, ka dëshirë për t’u ringritur dhe ka treguar se mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Stimujt nuk na mungojnë.

Nëse nuk do të luftonim për vendin e katërt do të ishte një dështim”, ka thënë tekniku juventin. Pasi ka ndalur Interin, Juventusi duhet të realizojë një tjetër arritje të madhe: të ndalë Milanin, që sot në mbrëmje do të paraqitet në “Olimpiko”. Kundër kuqezinjve gabimet janë të ndaluara, ashtu siç ka thënë Klaudio Markizio:

“Me skuadrat e mëdha luajmë gjithmonë mirë. Një ndeshje e tillë na shqetëson më pak, sepse do të mund të luajmë më shumë futboll dhe kjo do të jetë në favor të spektaklit. E dimë se përballë do të kemi një ekip të fortë, por ne nuk mund të gabojmë më.

Kemi një dëshirë të madhe për t’u rikthyer te fitorja. Vijmë nga dy humbje që nuk i prisnim. Në Leçe nuk kemi pasur përqendrimin e duhur dhe për më shumë se 70 minuta kemi luajtur me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Bufon. Me Bolonjën, edhe pse nuk luajtëm një futboll të bukur, ishim pafat, sepse shënuan në dy gjuajtjet e vetme në portë”.
/JUVENEWS.TK/