19 mars 2011

Bufon-Del Piero, prapaskenat e rinovimeve

Portieri ka kontratë deri më 2016-ën, por ka rrogë të lartë. E ardhmja e kapitenit, drejtues? Nuk i dihet

Në stadiumin e ri, me kapitenët historikë. Andrea Anjeli dhe Bepe Marota nuk kanë ndërmend të privojnë tifozët bardhezinj nga idhujt më të dashur për ta. Del Piero dhe Bufon nuk do të dalin kurrë nga zemra e juventinasve: për vlerat teknike, për sukseset e arritura personalisht dhe për atë aktin e dashurisë që në 2006-n, si kampionë të botës, panë Aleksin dhe Xhixhin të mos braktisnin barkën e fundosur përkohësisht në Serinë B.

Ofertat, nga ato të rëndësishmet, nuk kanë munguar asnjëherë.
Xhixhi përjetë - Bufoni është i lidhur me Juventusin deri në fund të vitit 2013. Së fundi, ka shprehur shumë herë dëshirën për të mbyllur karrierën në Torino. Dëshiron të luajë deri në moshën 40-vjeçare (sapo ka mbushur 32), duke kërkuar Botërorin e 5-të si protagonist (Brazil 2014), madje të jetë pjesë e ekipit edhe në vitin 2018.

“Nuk largohem nga Juventus,” ka përsëritur 2 ditë më parë. “Do të qëndroj, është prioriteti im. Roma? Njoftime pa baza. Në Romë duhet të kisha luajtur 10 vite më parë, tashmë është e pamundur.” Juve është gati të plotësojë dëshirën e tij. Të enjten, Silvano Martina (agjenti i Bufon) ishte në Vinovo.

Është takuar me Marotën, por faktikisht nuk është folur me detaje. “Kontrata është deri në 2013,” ka thënë Martina, “nuk janë parashikuar takime, pasi ka të tjerë futbollistë bardhezinj, me skadenca më të afërta.” Gjithçka e vërtetë, por në rrugën “Galileo Ferraris” kanë fiksuar një takim. Në fund të kampionatit do të ulen në tavolinë me Martinën dhe Bufonin.

Të sigurta janë edhe 5 vite të tjera në kontratë (deri në 2016), por duhet të diskutohet për pagën vjetore, që aktualisht është 6 milionë euro (neto), të cilën Juve do të donte dhe shpreson t’ia arrijë ta ulë në marrëveshjen e re.

Impakti - Në maj do të ulen në tavolinë për tratativat me portierin e kombëtares italiane. Xhixhi mund të firmosë pas 3 javësh, pasi palët mund të arrijnë marrëveshjen pa ndonjë problem të rëndësishëm dhe për një kohë të shpejtë.

Këtu nuk flitet për një “pensionist”, por për një kontratë që do të rinovohet me një lojtar që sot është titullar i kombëtares, i cili po rikuperon shumë shpejt edhe imazhin në opinion, pas operacionit në shpinë të verës së kaluar.

Veçanërisht inkurajuese ishin sinjalet e lëshuara në Çezena, ku Bufon ka bërë të paktën 3 mrekulli, teksa ka rezultuar në fund si lojtari më i mirë në fushë. Gëzohet trajneri i të kaltërve, Çezare Prandeli, gëzojnë mbi të gjithë tifozët juventinë, të cilët mund të duartrokasin sot, shumë pak yje të klasit të parë.

Xhixhi, do të jetë kapiten në fushë, gjatë periudhës së re të bardhezinjve, atë në stadiumin nën pronësinë e tyre, atë që pa ndonjë alibi, duhet të ngrejë Juventusin në sferat më të larta të futbollit italian.

Aleks në prill - Përgjegjësitë e mëdha, brënda apo jashtë fushe, Bufon do të duhet t’i ndajë për një tjetër vit me Alesandro Del Pieron. “E zeza mbi të bardhë” e 36-vjeçarit të jashtëzakonshëm të bardhezinjve do të hidhet në fillim të prillit.

Ndonjë keqkuptim mes tij dhe klubit po zhduket pak nga pak, edhe për shkak të seriozitetit dhe korrektesës së shfaqur në përballjet me Del Nerin, në këto javë të fundit të vështira. Del Piero, mbi të gjitha vjen pas një sezoni mëse bindës në aspektin e përgatitjes dhe integritetit fizik: 38 performanca mes kampionatit dhe kupave, vetëm Kielini është si ai, askush më mirë.

7 janë golat e shënuar, numër që pritet të rritet, duke parë se Del Neri nga ky moment dhe deri në fund të kampionatit, do të vendosë në repartin ofensiv dyshen Del Piero - Matri. E ardhmja si drejtues? Jo, sot për sot, nuk është e thënë.
/JUVENEWS.TK/