05 mars 2011

Britma e Ibrës: Jam numri një, por jo një flamur


Sulmuesi i Milanit ka shpjeguar arsyet pse ka ndryshuar gjashtë skuadra në karrierën e tij

Një kontraktim në shpinë është si një gudulisje për një si ai. Një bezdisje, asgjë më shumë. Zllatan Ibrahimoviç e ka sqaruar menjëherë: “Jam mirë, ndaj Juves do të luaj”. Zllatani nuk e di se çfarë është pushimi (34 ndeshje në 36 ndeshje të luajtuara me Milanin) dhe tani është gati për pesë ditët, që mund të vendosin një sezon: sot Juventusi në kampionat dhe të mërkurën Totenhemi në Ligën e Kampionëve.

- Ibrahimoviç, çfarë ndeshjeje do të jetë Juventus-Milan?

- Shumë e fortë, ne do të luajmë për vendin e parë, ata nuk janë në vendet e para, por duan t’i afrohen kreut. Juventusi dhe Milani janë klube të mëdha me histori të rëndësishme, kjo ndeshje vlen më shumë se tri pikë.

- Në fazën e parë bardhezinjtë iu kanë mundur dhe dukej se mund të luftonin për titullin. A e prisnit që pas katër muajsh të ndodheshin 17 pikë para tyre?

- Në fillim mendoja se Juventusi mund të siguronte një vend midis tre të parave. Një sezon është i përbërë nga momentet, besoj se atyreve u ka munguar më shumë fati.

- Fati mund të bëjë diferencën?

- Nuk mund të të ndihmojë në 38 ndeshje, kështu që ndikon pak në një kampionat kaq të gjatë. Por besoj se kanë potencialin për të arritur në tre vendet e para.

- Mendoni se Juventusi nuk e ka rimarrë akoma veten nga pasojat e “Calciopoli”-t?

- Jo, kanë kaluar pesë vite nga rënia në Serinë B dhe klubi ka bërë investime të mëdha, kanë marrë shumë lojtarë dhe besojnë te projekti i tyre. Kanë një përzierje të lojtarëve të vjetër me të rinjtë, si Milani. Në kohën kur luaja unë aty ishte një klub që kishte mentalitetin për të fituar gjithçka. Nuk e di se çfarë atmosfere është tani në skuadër.

- Ju keni fituar në fushë me Juven kampionatin në 2006-ën, që më pas i është dhënë Interit. A jeni dakord me kërkesën e bardhezinjve?

- Unë nuk e kam konsideruar kurrë si një kampionat të fituar nga Interi. Kam sakrifikuar dhe kam punuar për atë kampionat dhe e kam fituar me meritë, sepse ishim me të fortët dhe jo vetëm në Itali.
- Por jeni larguar në momentin e duhur, para se të zyrtarizoheshin penalizimet e “Calciopoli”-t.

- Dua të sqaroj diçka në lidhje me largimin tim nga Juventusi. Para Botërorit, Alesio Seko, më ka thënë ‘Ibra, nëse ke ndonjë ofertë pranoje’. Dhe unë jam ndier i lirë. Më pas ka ardhur Deshamp dhe ka kërkuar që unë të qëndroja, por ai kishte ardhur për të stërvitur Juven, jo për mua.

Ka qenë i çuditshëm fakti që kam diskutuar për gjëra të tilla me Sekon, (në atë kohë ai sapo ishte emëruar drejtor sportiv), që deri disa ditë më parë më thoshte se në çfarë ore duhej të stërvitesha. Deri në atë moment kisha folur vetëm me Moxhin. Dhe më pas nuk doja të shkoja në Serinë B. Unë isha i uritur për ndeshje të rëndësishme.

- Jeni penduar ndonjëherë për një zgjedhje tuajën?

- Kurrë, as që kam shkuar te Barcelona. Edhe atje kam mësuar shumë.

- Në tetor do të mbushni 30 vjeç. Ndiheni më i pjekur?

- Ndjej se kam më shumë eksperiencë, po ndihmoj të rinjtë që janë në skuadër, edhe në kombëtare. Në aspektin personal mësoj çdo ditë më shumë, kam dy fëmijë.

- A iu befason fakti që Del Piero vazhdon të luajë dhe është afër rinovimit me Juven?

- Del Piero është i pabesueshëm, në moshën e tij luan akoma për të fituar. Unë pas moshës 33 vjeç nuk e di se si do të jem fizikisht dhe nëse do të kem akoma dëshirë për të luajtur, duhet t’i dedikohem familjes. Ai ndihet mirë dhe ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Kur ishim bashkë te Juventus unë luaja gjithmonë dhe ai disa herë qëndronte në stol, por ishte shumë i fortë. Nuk mendoja nëse do ta shikoja aty edhe pas 10 vitesh, por më duket në formë shumë të mirë.

- Del Piero i ka qëndruar besnik Juves, ju keni ndryshuar gjashtë skuadra. Iu vjen keq që nuk jeni bërë një lojtar flamur?

- Nuk do të më kishte pëlqyer kjo gjë. Eshtë më mirë të ndryshosh se sa të rrish te një skuadër për një kohë të gjatë. Sepse duke ndryshuar mëson dhe një lojtar i madh duhet të tregojë se është vendimtar në shumë klube.

Për të dhënë maksimumin duhen motivimet, në shtëpinë tënde është gjithmonë e lehtë të dukesh i fortë. Gjithsesi Milani do të jetë skuadra ime e fundit. Pasi të mbush 33 vjeç (kontrata i skadon në 2014-ën), besoj se do të tërhiqem.

- Ju zemëroheni shpesh me Paton, sepse nuk impenjohet sa duhet apo sepse nga një lojtar me potencialin e tij pret më shumë?

- Unë zemërohem me të gjithë, por mbi të gjitha me ata që mendoj se mund të japin më shumë. Këta dua t’i stimuloj, ashtu siç duhet të bëhet me mua. Mendoni se mua nuk më kritikon njeri? Te Juventusi, Interi dhe Milani, te Barcelona më pak, kam gjetur gjithmonë njerëz që më kanë folur kur luaja keq. Sepse këtu nuk jemi në kopësht. Duhen rezultatet.

- Por, ndoshta mund të kenë frikë të kritikojnë një si ju?

- Ndërsa, këtu te Milani e bëjnë, secili ka karakterin e tij. Sedorf e thotë në mënyrën e tij, Gatuzo është më agresiv, por nuk duhet parë si një gjë negative.

- E shikoni veten si trajner në të ardhmen?

- Nuk kam menduar akoma për këtë, për momentin më pëlqen të luaj.

- Keni thënë se Milani do të jetë në maksimumin e formës mbas dy vitesh. Mendoni se është më e lehtë të fitohet kampionati apo Liga e Kampionëve?

- Kam dashur të them se ky është një vit rindërtimi, sepse unë dhe Robinjo kemi ardhur në verë, Van Bomel dhe Kasano në janar. Eshtë e qartë se mund dhe duhet të fitojmë që në këtë sezon, por në atë të ardhshmin Milani mund të fitojë gjithçka.

Kur kam ardhur te Milani më kanë thënë menjëherë se mund të fitonim kampionatin, nuk kam ardhur rastësisht. Në kampionat jemi në krye, por mungojnë 11 ndeshje, në Champions duhet të rekuperojmë, por është një ndeshje direkte: nuk është e thënë që kampionati të jetë më i sigurt për t’u fituar. Duhet të qëndrojmë në garë për të dy objektivat.

- Sa mundësi keni për t’u kualifikuar në Londër?

- Shumë, e rëndësishme është të mos përsërisim gabimin që kemi bërë në “San Siro”, kur në pjesën e parë kemi menduar vetëm të mbrohemi.

- Morati ka thënë se Interi është krenaria sportive e Milanos.

- Eshtë normale ta thotë këtë, ai është presidenti. Nëse do të isha president edhe unë do të thoja që skuadra ime është më e rëndësishmja.

- Pesë vite më parë ju thonit se luanit për të qenë numri një. Sot ndiheni më afër apo më larg këtij objektivi?

- Unë ndihem numri një, nëse mendon se je i dyti është fundi. Nëse nuk ke fituar kurrë “Topin e Artë” dhe çmimin e FIFA-s si Lojtari më i Mirë i Botës nuk do të thotë se nuk mund të jesh numri një.

- Eshtë e vërtetë se Ibrahimoviç është më i aftë të udhëheqë skuadrën drejt fitores në kampionat se sa në Champions?

- Championsi është më i vështirë, sepse niveli është më i lartë, ka shumë taktikë dhe synohet të ndalet lojtari më i mirë. Por unë vitin e kaluar kam shënuar dhe në çerekfinale.

- Për Mourinjon mund të kishit vrarë, Alegri di t’iu motivojë në të njëjtën mënyrë?

- Alegri është një trajner i madh, por është në një fazë rritjeje, Milani është skuadra e parë e madhe për të, po mëson edhe ai. Mou kur ka marrë drejtimin e Interit ishte numri një.

- Por në Spanjë po kalon një moment të vështirë. Mund të kthehet në Itali në drejtim të një skuadre tjetër?

- Besoj se Mourinjo është si unë, kërkon të provojë gjithmonë stimuj të rinj dhe të fitojë. Për të qenë gjithmonë numri një.
/JUVENEWS.TK/