04 mars 2011

Beckenbauer premton të ndihmojë sportin kosovar

Prishtinë, 4 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, priti të premten në takim legjendën e futbollit, Franc Beckenbauer, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që është i njohur edhe si një përkrahës i madh i sportit dhe sportistëve kosovarë, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë dhe miqësore.

Presidenti Pacolli e ka dekoruar sot legjendën e futbollit gjerman, Franc Beckenbauer, me çmimin Ambasador Nderi i Kosovës, çmimin ky që i jepet për kontributin që ai ka dhënë dhe që do të vazhdojë ta japë për integrimin e futbollit kosovar në UEFA dhe në FIFA, transmeton Kosovalive.
Në vazhdim presidenti Pacolli e falënderoi për vizitën në Kosovë dhe kërkoi nga legjenda Beckenbauer që të bëjë çka do që është në mundësitë e tij që të ndihmojë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës, sidomos të futbollit, për ta bërë futbollin e Kosovës pjesë të UEFA-s dhe të FIFA-s.

“Vendi ynë, Kosova, ka fat të madh që ka një popull me një rini të shëndoshë e të talentuar si potencialin më të fuqishëm të saj. Të rinjtë tanë kanë dëshmuar aftësi të rralla çdoherë kur u është dhënë mundësia dhe hapësira e veprimit, sidomos në aktivitete sportive”, tha Presidenti Pacolli, duke theksuar se Kosova ka një popullatë të re dhe të mrekullueshme, ku mbi 50 për qind e qytetarëve janë nën moshën 25 vjeçare.

“Sporti nuk njeh dallime politike. Sporti nuk njeh urrejtje, sporti nuk njeh politika. Kosova duhet të përfaqësohet si shtet dhe të jetë pjesë e aktiviteteve sportive ndërkombëtare, në të gjitha disiplinat. Kosova e meriton këtë, rinia e Kosovës e meriton këtë, sportistët e Kosovës e meritojnë këtë”, shtoi Presidenti Pacolli.

Franc Beckenbauer, pasi ka uruar presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e tij në krye të vendit, ka thënë se ndihet i nderuar që viziton Kosovën për herë të parë. Ai tha se nuk është politikan, por si sportist është i njoftuar me zhvillimet në Kosovë në të kaluarën dhe në të tashmen.

Ai theksoi se lidhur me anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA, në një takim të kësaj organizate, është vendosur që çështja të kalojë për trajtim së pari në UEFA, ndërsa premtoi se nga ana e tij ai do të bëjë gjithë çka është e mundshme që të ndihmojë sportin e Kosovës që të ecë përpara drejt ndërkombëtarizimit.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi. Pas këtij takimi me të parin e vendit, Beckenbauer ka takuar edhe udhëheqësit e sportit të Kosovës.
/JUVENEWS.TK/