04 mars 2011

Alegri: "Duhet kujdes, Juventus është një skuadër e plagosur"

Prishtinë (Lajmi më i zgjeruar JuveNews) Milano (Itali)- "Juventusi nuk duhet të nënvlerësohet, është një skuadër e plagosur dhe do të luajë një ndeshje të rëndësishme", Alegri nuk i zë aspak besë momentit negativ që është duke kaluar skuadra bardhezi. Trajneri është i bindur që ndeshja në Torino vlen shumë: "Është shumë e rëndësishme përsa i përket titullit kampion. Nuk mund të kemi rënie tensioni, përqendrimi në një moment kaq të rëndësishëm të sezonit".

Trajneri i Milanit nuk ka vendosur akoma formacionin, por "Pato dhe Boateng kanë mundësi të mira për të luajtur nga minuta e parë". Po shkohet drejt fundit të kampionatit dhe të gjitha ndeshjet kthehen në të rëndësishme, por ajo me Juventusin vlen akoma më shumë. "Jemi tani në 11 ndeshje nga fundi dhe çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, por në këtë moment ndeshja që duhet të luajmë të shtunën në mbrëmje vlen më shumë përsa i përket titullit kampion të cilin ne synojmë, dhe vlen edhe shumë për ta, duke parë që po kërkojnë të afrohen përsëri në zonën e Champions Ligës", ka deklaruar Alegri në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes.

"Juventusi është një skuadër fizike, me një karakter të fortë, që nga goditjet standarde është shumë e rrezikshme dhe që në momentin që është e plagosur, siç është në këtë moment, di të luajë shumë mirë ndeshjet e rëndësishme. Nuk do të jetë një Juventus i dorëzuar, por një skuadër shumë luftarake ajo që do të kemi përballë, që do të zhvillojë një ndeshje të madhe dhe për të marrë rezultatin e dëshiruar duhet të japim më të mirën tonë. Ne duhet të jemi në lartësinë e detyrës dhe besoj me siguri se do të japim më të mirën si skuadër, jemi mirë dhe dëshirojmë të shkojmë në Torino për të marrë një rezultat të madh", ka paralajmëruar Alegri skuadrën e tij.

Aleksandër Pato pas golit të shënuar kundër Napolit duhet ta fillojë përsëri ndeshjen nga fillimi: "Golat i ka shënuar gjithmonë, por tani ka ndryshuar disi sjellja në fushë, është shumë më i qetë, është mirë fizikisht, ka shtuar ai. Ka mundësi të mëdha që ta fillojë ndeshjen nga minuta e parë, por kush qëndron në bankinë mund të jetë akoma edhe më shumë i vlefshëm nga ajo që është bërë deri në një moment të caktuar". Trajneri kuqezi është i vetmi i sigurtë nga tre skuadrat e mëdha (Milan, Inter dhe Juventus) që nuk rrezikon të shkarkohet në fund të sezonit siç është situata e kolegëve të tij: "Këtë vit kam pasur avantazhin që shoqëria ka kryer një fushatë të shkëlqyer blerjesh, shpjegon Alegri.

Më pas, kam gjetur një grup të fortë që ka fituar jashtëzakonisht shumë dhe të gjithë jemi vendosur në diskutim, duke pasur motivacione të mëdha". Buzëqesh Alegri, duke ju përgjigjur presidentit të Interit, Masimo Morati, që ka nënvizuar që Interi është skuadra e parë e Milanos. "Çfarë ka menduar kur e ka thënë? Që pas ndeshjes me Palermon janë 15 ditë pushim në mes për të arritur tek ndeshja derbi… Janë batuta simpatike. Do të bëj tifo për Juventusin? Për ta ne jemi djalli….".
/JUVENEWS.TK/