05 mars 2011

10 të paharrueshmit e klasikes italiane

Nuk është asnjëherë e thjeshtë të bashkosh dy breza bashkë dhe misioni bëhet edhe më i vështirë nëse bëhet fjalë për ato breza futbollistësh që kanë shkruar historinë e futbollit italian.

Në prag të ndeshjes Juventus-Milan, “Corriere della Sera” përzgjodhi dhjetë futbollistët më të mirë që kanë luajtur ndonjëherë në këtë klasike, listë ku nuk gjetën vend emra të mëdhenj si Roberto Baggio apo Zlatan Ibrahimovic.

5 të paharrueshmit e Milanit

Franco Baresi – Një jetë e tërë si kuqezi dhe shumë ndeshje Juventus-Milan bënë që klubi të hiqte përjetësisht numrin 6 nga qarkullimi. Kolonë e pazëvendësueshme e mbrojtjes, mbi 20 sezone tek Milani, për një total prej 700 prezencash.

Niels Liedholm – Me Nordhalin, Gren dhe “Baronin”, Milani formoi të famshmin Gre-No-Li, që udhëhoqi skuadrën drejt katër titujve kampionë.

Gunnar Nordhal – Pesë herë golashënuesi më i mirë i Serisë A, suedezi ishte makthi i Juventusit në përballjet e viteve 1940-50.

George Weah – I quajtur ndryshe “Mbreti Xhorxh”, Weah ishte “pantera” që bënte bardhezinjtë të dridheshin në dekadën e fundit të shekullit XX.

Marco Van Basten – Mbase futbollisti më i kompletuar ndonjëherë në historinë e Milanit, u detyrua të tërhiqej që 30 vjeç si pasojë e dëmtimeve. Disa prej atyre shqelmave të ashpra ia “dhuroi” pikërisht Juventusi.

5 të paharrueshmit e Juventusit

Giampiero Boniperti – I përfshirë nga FIFA si një prej 125 lojtarëve më të mirë të historisë, Bonipeti është një prej figurave më të famshme të Juves. Ai formoi një treshe magjike me Sivori e Charles, në gjendje për t’u “tallur” edhe me rivalë si Milani.

Michel Platini – Presidenti aktual I UEFA-s, tre herë fitues i Topit të Artë, udhëhoqi bardhezinjtë në shumë klasike dhe në triumfin e Champions League në vitin 1985.

Omar Sivori – Lojtari që luante gjithmonë me çorapet e ulura dhe bluzën jashtë, ishte makthi i mbrojtjes kuqezi falë aftësive të tij dribluese.

Zinedine Zidane – Kur “gjeniu francez” ishte në fushë, Juventusi dominonte futbollin italian dhe ishte një “kockë” pothuajse e pathyeshme për rivalët.

Dino Zoff – Legjenda e portës italiane, ishte në gjendje të zhvlerësonte me një “lehtësi tallëse” gjuajtjet e kuqezinjve, ndërsa kontriboi për një prej epokave më të ndritura në historinë e bardhezinjve.
/JUVENEWS.TK/