10 dhjetor 2010

Tërhiqet bojkoti, Seria A luan në fundjavë

Shoqata Italiane e Futbollistëve (AIC) ka tërhequr mbrapsht vendimin për të bojkotuar javën e 16-të të Serisë A, e programuar për t’u luajtur këtë fundjavë.
Lajmin e bëri publik Serxho Kampana, presidenti i Shoqatës së Futbollistëve, përmes një njoftimi zyrtar në faqen e internetit të shoqatës. “AIC falënderon futbollistët për pjesëmarrjen, kompaktësinë dhe sensin e lartë të përgjegjësisë në mbrojtje të dinjitetit të tyre profesional dhe të të drejtave themelore të të gjithë punonjësve”, thuhet në komunikatë.

“AIC - vijon mandej njoftimi - duke parë ecurinë e bisedimeve për hartimin e kontratës së re kolektive me ndërmjetësinë e presidentit të federatës, Abete, bën të ditur se ka vendosur që lojtarët të zbresin në fushë për javën e 16-të të kampionatit, e parashikuar për t’u luajtur më 11 dhe 12 dhjetor”.