10 dhjetor 2010

Seria A, ja kush janë “vrasësit” e rinj

Nga Kavani tek Ibrahimoviç dhe jo vetëm këta. Protagonistët e rinj të kampionatit italian

Shpëtimtarët, ose e thënë ndryshe të shkosh te një klub i ri dhe të bësh ligjin. Këtë e di mirë Ibrahimoviç, për të cilin flitet dhe shkruhet shumë, por është një rol në të cilin janë përshtatur edhe lojtarë të tjerë, nga Hernanes te Borrielo, Kavani te Napoli, treshja Akuilani-Krasiç-Kualjarela te Juvja dhe Palermo-viçi i mbushur me sllovenë. Por kujdes: nuk flitet vetëm për saktësi para portës së kundërshtarit, por edhe për rëndësinë e një sistemi loje që, tashmë, nuk mund të funksionojë pa ata. Sigurisht, të flitet vetëm për Ibrahimoviçin te kuqezinjtë, për peshën specifike të lojtarit brenda skuadrës së Alegrit, është pak e reduktuar.

Nuk do të ishte e drejtë për ish-”objektin misterioz” Robinjo, që ka shkuar në Milanelo nën hijen e Ibrës dhe në pak muaj është bërë një element thelbësor për Milanin. Lëvizjet e tij, i kudondodhur gjatë një ndeshjeje, jo vetëm i detyrojnë mbrojtjet kundërshtare të lënë hapsira pak e shumë të rëndësishme, por e lejojnë Sedorfin ose mesfushorin e avancuar të radhës të ketë më shumë kohë në dispozicion në lidhje me atë që duhet të bëjë.

Një çështje që ndryshon nëse mendojmë për Milanin e fundit, atë kundër Breshias, që ka argëtuar me tri blerjet e verës: sepse nuk duhet të harrojmë se, deri më 27 gusht, blerja kryesore e kuqezinive ishte Kevin Prince Boateng. I aktivizuar si mesfushor qëndror, në krah dhe madje mesfushor i avancuar lojtari ganez ka treguar se është i domosdoshëm dhe nuk e ka problem pozicionin ku e aktivizon trajneri. Me pak fjalë, janë shumë larg kohët e një Milani që varej plotësisht nga Dinjo.

TRESHJA BARDHEZI - Mbrëmja perfekte e Katanias ka shtuar kredite të tjera për Fabio Kualjarelën, që më në fund është kthyer në një sulmues, tek i cili mund të besosh jo vetëm për golat e mrekullueshëm, por edhe realizime më të thjeshta dhe vendimtare. Për gola që mund vlejnë një kampionat. Deri tani ka shënuar 8 në 14 paraqitje, nisja më e mirë e të gjitha kohërave për të, me kënaqësinë që ka dalë fitimtar nga “San Siro” si protagonisti i madh i ndeshjes.

“Zonja e Vjetër”, domethënë, duket se e ka gjetur “vrasësin” e saj, i cili mbështetet denjësisht nga një mesfushë e revolucionarizuar nga sezoni i kaluar: sigurisht, meritë e rilindjes së Felipe Melos, por edhe e dy blerjeve thelbësore. Si Akuilani, një lojtar me cilësi të larta teknike në mes të një grumbulli muskujsh dhe si Milos Krasiç, që i ka dhuruar bardhezinjve një lojtar ‘krahu’ të denjë për këtë etiketim. Vrapim, asist, goditje, biondi serb lë të lirë vetëm një vend të vetëm në mesfushën titullare të Del Nerit, duke formuar kështu me ish-lojtarin e Romës dhe Fiorentinës një treshe të pazëvendësueshme.

PALERMO-VIÇ - Nëse Armin Baçinoviç ka arritur të sigurojë një hapësirë më se të rehatshme në mesfushën e Delio Rosit, i përcaktuar nga pjesa më e madhe si “regjisor dinamik”, numri 72, Josip Iliçiç ka bërë akoma më shumë. Idea është se ky numri 72 nuk është zgjedhur rastësisht, duke parë se është ‘binjak’ i 27-ës së Pastores. Ndoshta më shumë se binjakë, i ftohtë njëri, i nxehtë tjetri, mund t’i përkufizojmë si lojtarë që kompletojnë njëri-tjetrin: e pabesueshme antiteza e dy shkollave të mendimit, e pabesueshme si lojtari i ri ka ditur të përshtatet në mënyrë perfekte me argjentinasin, duke formuar dyshen ideale për Pinilan ose Makaronen e radhës. Por, duhet pasur kujdes nga Mikoli që, pa dashur, mund të jetë një rrezik për një simbiozë të tillë.

NAPOLI - Një problem që nuk ekziston për Kavanin, golashënuesi më i mirë i Serisë A me Etonë, për gëzimin e një Laveci që tani mund të bëjë me të vërtet “Lavecin”. Pikërisht ndeshja kundër ish-skuadrës së tij ka vënë në dukje aftësitë e sulmuesit uruguajan për të hequr dorë nga imazhi i njeriut-gol: ka ndihmuar skuadrën në mbrojtje, pas një vrapimi të dëshpëruar prej 60 metrash, për t’u kthyer më pas në zonën e rreptësisë të kundërshtarit dhe, pak minuta më vonë, të dhurojë pasimin e lavdisë. Fryma, sigurisht nuk i mungon.

ROMA - Nuk kemi harruar Romën, me rivalët e përhershëm që kanë ndjekur strategji të ndryshme: familja Sensi ka vendosur t’i besojë Marko Borrielos, ndërsa Lotito i ka dhuruar, nëpërmjet Rejas, “çelësat” e mesfushës brazilianit Hernanes. Efektin mund ta shikojnë të gjithë: napoletani i verdhekuqve ka realizuar 6 perla në kampionat dhe 3, shumë të rëndësishme, në Champions, por mbi të gjitha i ka dhënë fund problemeve të Romës që shkaktoheshin nga mungesa e një qendërsulmuesi të pastër.

Akoma më i qartë shpërthimi i ish-lojtarit të San Paolos te Lacio, i cili ndihmon shokët e skuadrës të japin maksimumin: nga Mauri te Flokari, deri te Zarate. Këmbë fine, një vizion i pafund loje, te bardhekaltrit ka filluar si mesfushor i avancuar, për t’u tërhequr pak mbrapa më pas dhe për t’i lejuar Zarates të luajë më i lirshëm në sulm. Goditja e dënimit e 3-1-it kundër Interit, më pas, e ka konfirmuar përfundimisht “Profet” i kryeqytetit të Italisë dhe i gjithë Serisë A, së cilës i duhen lojtarë si ai për t’u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur në nivelet e Premier Ligës dhe La Ligas.

Bufon-Pato-Xhila, do të ripopullojnë Serinë A për Pashkë

Ka filluar numërimi mbrapsht për fundin e vitit dhe për të gjithë ata lojtarë që, në 2011-ën, do të rishikojnë dritën dhe jeshilen e fushës. Në një sezon veçanërisht të kushtëzuar nga dëmtimet, janë plot 18 elementët që do të braktisin infermierinë deri në javën Pashkëve. Këtyre u shtohen 5 të tjerë që do të rikthehen midis muajve shkurt dhe mars, pa marrë në konsideratë rastet e bujshme të atyre që kanë mbetur jashtë skuadrës si Kasano te Sampdoria dhe Marketi te Kaljari.

Juventusi dhe Fiorentina ndajnë ‘rekordin’ e skuadrave që do të rekuperojnë numrin më të madh të të dëmtuarve. Dhe nëse bardhezinjtë do të mund të mbështeten te lojtarë si Bufon, De Çelje, Rinaudo dhe Amauri që në janar, me vetëm Martinez që pritet të kthehet në muajt pasardhës, grupi i Mihajlloviçit do të duhet të presë të paktën marsin për të pasur sërish në dispozicion Frein dhe Jovetiçin. Ndërsa, do të jenë të menjëhershme rikthimet e Natalit, Montolivos dhe, mbi të gjitha, Xhilardinos.

Situatë më e qetë për Interin, që vjen nga një fazë e parë e sezonit me shumë mungesa, Benitez në dhjetor (domethënë për Botërorin) nuk do të ketë vetëm Koutinjon. Rikthime të rëndësishme në sulm edhe për Milanin dhe Napolin. Dhe nëse kuqezinjtë i luten Shën Mërisë sa herë që Pato dëmtohet, Maxarri uron që të rekuperojë sa më shpejt Kristiano Lukarelin.