10 dhjetor 2010

Kur Reja i thoshte Del Nerit: Hiq dorë nga futbolli

Trajneri i Juves do të përballet me ish-trajnerin e tij të dielën në “Olimpiko” të Torinos

Juventus-Lacio, përballje mes vendit të 3-të dhe të 2-të. Del Neri nga Akuileja (Udine) kundër Rejas nga Luçinino (Goricia). Ka festë në Friuli, teksa qeshin gratë e tyre, mikesha prej 40 vitesh, gëzohet Fabio Kapelo nga Pieris (Goricia), një tjetër shok fëmijërie. Ndërkohë që feston edhe Paolo Maca, drejtues i të rinjve, i cili i ka patur këta 3 djem në kohë të ndryshme tek Spali i mrekullive dhe i talenteve. Është pikërisht Maca, njeriu që shpesh i kthen mendimet e së kaluarës Xhixhit, për të cilin ndjen admirim dhe vlerësim.

Të njëjtat ndjenja, që edhe trajneri aktual i Juves ndjen për Edin, i ditëlindjes 1945, 5 vjet më i vjetër, i cili u martua po në Akuileja. Kujtime rreth ditëve të kaluara, kur punonin përpara se të merrnin biçikletat apo motorrët për të shkuar në fushë, për t’u stërvitur. Ditë, të cilat të kujtojnë edhe ndeshjet dhe shakatë. Atë udhëtim në Goricia-Spal, Palermo dhe Alesandria për Rejan si futbollist, ndërsa Del Neri ka kaluar nga Spali, Foxhia, Novara, Udineze, Sampdoria, Viçenca, Siena… dhe Pro Goricia, ku rrugët e të dyve u kryqëzuan sërish, për të nisur një jetë tjetër për të dy ata…atë si trajner.

Sezoni 1983-84, ndodh që Edi, 38-vjeçar, emërohet për herë të parë si trajner në C2. Thërret Xhixhin dhe i thotë: “Eja më jep një ndihmë”. Del Neri, në moshën 33-vjeçare dhe në fund të karrierës, nuk kishte shumë dëshirë të luante për divizionet e ulta, por miku mbetet mik. Shkon, shënon 8 gola dhe kontribuon në një shpëtim totalisht të paevitueshëm. Luajtën disa minuta bashkë, por shpesh Reja i limitonte minutat e aktivizimit, “sepse ka njerëz, që tashmë vlejnë më shumë se ty”, i shpjegonte Reja.

Ndërkaq, leksioni i parë si trajner për Xhixhin ishte: respekt, ndershmëri maksimale dhe raporte të qarta me lojtarët, edhe me ata që mund t’i kesh shumë miq dhe që janë shumë të zotë. Me kalimin e disa muajve, Del Neri filloi të trajnonte ekipe. Ashtu si “vllaçkoja” i tij, do të bënte një rrugë të gjatë, përpara se të futej në nivelet e larta të futbollit. Dhe sërish me “vëllaçkon” e tij është sot aty, duke luftuar për titullin kampion. Por “me këmbë në tokë”, si friulanë të nderuar, njerëz që flasin me vepra. Dhe tek Juvja e Xhixhit? “Nuk do ta harroj kurrë leksionin e parë. Funksionon kudo.

Edhe tek Juvja, edhe me Del Pieron.” Aleks, nuk godet pankinën pas ndonjë zgjedhjeje të trajnerit të tij, është i sinqertë dhe i bindur për projektin e ri të bardhebluve. Pjesa tjetër e skuadrës, më pas, e vlerëson dhe ndjek hap pas hapi një njeri, që i cilëson të gjithë të barabartë, që nuk shikon në fytyrë askënd, i cili mendon gjithmonë në interes të grupit.

Sot “i jashtëzakonshmi” i Juves është pikërisht ai: i aftë të menaxhojë kohët e vështira, duke patur parasysh dëmtimet e shumta, që kanë karakterizuar këtë pjesë të sezonit, një profesor i jashtëzakonshëm i taktikave dhe guximtar për aktivizimin e të rinjve, duke patur parasysh Sorensenin dhe Kamilerin. Në rreth 5 muaj, ka dyfishuar vlerën e një ekipi të mirë, por jo të shkëlqyeshëm nga ana kualitative. Nëse kalon me pikë të plota edhe “provimin” Lacio, atëherë i duhet dhënë një titull nderi. Dy blerje: një sulmues dhe një mbrojtës për Juven. Për të “hipotekuar” Ligën e Kampionëve dhe për të synuar…titullin e Serisë A në moshën 60-vjeçare.