10 dhjetor 2010

Juventus largon Sisokon për Matrin ose Maksi Lopezin

Drejtuesit bardhezi po mendojnë të shesin afrikanin për të blerë një sulmues në janar

Nevojitet fantazi. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ndaj dhe Bepe Marota dhe Fabio Paratiçi janë duke studiuar strategjinë më të mirë, për të forcuar Juventusin në merkaton e janarit, pa shpenzuar shumë. Nuk ka para për të blerë një lojtar të madh, kështu që në fillim do të shesin dhe më pas do të blejnë, duke konsideruar edhe faktin se reparti i sulmit, i cili do të përforcohet më një qendërsulmues të madh, ka aktualisht 4 “pyka” me rroga të larta ose shumë të larta.

Shitja e Amaurit duket se do ta zgjidhte shumë mirë situatën, por lojtari, të cilin Marota kërkon ta largojë për të ndërhyrë më pas në merkato, është Momo Sisoko. Mesfushori nga Mali kërkon të largohet dhe mund të sjellë në arkat e Juves nga 6 deri në 8 milionë. Natyrisht që mendimi i parë të shkon në përmirësimin e repartit ofensiv. Emrat e lakuar janë 2: Matri dhe Maksi Lopez. Mes shumë hipotezave të ditëve të fundit, është përmendur edhe kandidatura e Alberto Xhilardinos, duke menduar kalimin e Maksi Lopezit tek Fiorentina.

Por ky operacion i rëndësishëm është i komplikuar për motive ekonomike, ndaj dhe është duke u studjuar këmbimi “kokë më kokë” mes Amaurit dhe Xhilardinos. Për repartin mbrojtës, Marota duhet të gjejë një lojtar të besuar, madje të sprovuar edhe më parë. Juventusi ka trokitur në dyert e Milanit, në fillim për Boneran dhe më pas për Jepesin, por në të dy rastet Galiani i ka thënë “Jo”. Tashmë po interesohen për Fernando Meiran, 32-vjeçarin që luan për Zenitin e Spaletit.

Vëmendja ka qenë pardje në Lisbonë, gjatë ndeshjes Benfika-Shalke, ku një agjent bardhezi ka patur nën vëzhgim Havi Garsian, mesfushorin spanjoll 23-vjeçar të klubit portugez, i cili ka luajtur më parë edhe për Realin. Por në Lisbonë, ka qenë nën vëzhgim një tjetër lojtar special, anësori ofensiv 22-vjeçar Ivan Rakitiç. Synohet prej disa muajsh dhe është në prag të skadencës së kontratës. Të monitoruar mbeten gjithashtu edhe talentet nën 20 vjeç, jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikën e Jugut. Ndërkaq, është mbyllur praktikisht blerja e Alesandro Favalit, i ditëlindjes ‘92, mbrojtës i majtë i Kremonezes.