16 dhjetor 2010

Juventus kërkon Nilmar, Reali synon Hugo Almeida

Mardid (Spanjë)- Ka filluar menjëherë meditimi për merkaton e janarit në kampionatin spanjoll: hyrje, dalje, zëra, hipoteza, tratativa, kërkesa, projekte, ëndrra nga Spanja drejt botës dhe e anasjellta. Në qendër të vëmendjes së merkatos spanjolle është numri 9 që kërkon Reali i Murinjos. Në pritje për të mësuar nëse Gonzalo Higuain mund të shërohet nga problemet e hernies pa kryer ndonjë operacion, vazhdon të qëndrojë i gjallë debate mbi kërkesat e Murinjos për një sulmues cilësor. Gazeta madrilène 'AS' shprehet që, Murinjo duket se nuk po arrin të durojë dot me situatën me Karim Benzema, ka kërkuar një numër 9, dhe që Florentino Perez dhe Jorge Valdano i janë përgjigjur me gatishmërinë e tyre. Është e qartë, ndërkohë që nëse Higuain do të duhet të kalojë nëpërmjet sallës së operacionit, Real Madridi do të jetë i detyruar të shkojë në merkato, duke parë që nuk mund t'i lejojë vetes të luftojë në tre fronte me Benzeman dhe një sulmues të ri që ende nuk njihet siç është Morata. Lista e dëshirave të Murinjos fillon nga bashkëkombasi tij që luan për Verder Bremenin, Hugo Almeida: dukej se ishte shumë pranë transferimit tek Beshiktashi, por duket se tratativa është rrëzuar menjëherë. Emra të tjerë: Tevez, Dzeko, Valdes (paraguajani Herkules), Adebajor dhe Lukaku, talenti i ri i Andërlehtit.

Të gjithë në Turqi.

Beshiktashi i Bernd Shuster, që ndodhet në vendin e pestë në klasifikim me -12 pikë nga Trabzonspori kryesues, vazhdon të peshkojë lojtarë të rëndësishëm në Spanjë: pas Gutit dhe Mehmet Aurelios, që kanë mbërritur këtë verë nga Real Madridi dhe Betisi sëbashku me Kuaresmën, Fatit Teke nga Rubin Kazan dhe gjermanin Hilbert nga Shtutgardi. Skuadra nga Stambolli në këto ditë të fundit ka mbyllur gjithçka me kosto zero për portugezin Simao Sabrosa, mesfushorin e djathtë të Atletiko Madrid, që i përfundon kontrata në qershor, dhe me bashkombasin e tij Manuel Fernandes, mesfushori i qendrës së Valencias. Siç është thënë mbetet për t'u parë, nëse do të konfirmohet apo jo blerja e tretë portugeze, Hugo Almeida.

Reagimi i Atletikos.

Skuadra e dytë e Madridit është në vështirësi në këtë moment dhe shikon tek merkatoja e janarit me interes për të zgjidhur problemet e veta. Pasi kanë humbur Simaon, kanë blerë Elias të Korinthias, mesfushor qëndre 25-vjeçar që sapo është grumbulluar në skuadrën kombëtare nga Mano Menezes. Duhet të mbërrijë edhe ish-lojtari i skuadrave zinxhir të Realit, Juanfran, që është duke luajtur shumë mirë tek Osasuma, dhe flitet për Joao Miranda, mbrojtësin e qendrës së San Paolos, 26-vjeçar, që ka kaluar në vitin 2005 tek Sosho në Francë. Alternativa e tij është argjentinasi i Bajern Mynihut, Demikelis, që ka prishur marrëdhëniet me trajnerin holandez, Luis Van Gal: këtë vit në Bundesligë mbrojtësi 29-vjeçar ka luajtur si titullar vetëm në 3 ndeshje. Në sulm flitet shumë për Osvaldon, argjentinasin me pashaportë italiane që është duke kryer një punë shumë të mirë tek Espanjolli.

Interesi i Juventus-it

Edhe skuadrat italiane kanë filluar të hedhin sytë në tregun spanjoll: pas zërave të përsëritur mbi interesimin e disa skuadrave për Karim Benzema, një lojtar që mbase Murinjo mund ta shiste, por në këtë është i vlefshëm në Madrid, duke parë mungesën e Higuain, sulmuesi i radhës që është atashuar pranë Juventusit është braziliani Nilmar i Vilarealit. Lojtari i kombëtares braziliane që luan në sulm sëbashku me Xhiusepe Rosin është duke kaluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe është gati të ndryshojë skuadër. Mbetet për t'u parë se çfarë mendon Nëndetësja e Verdhë, që për të ka kryer edhe shpenzimin më të madh në histori me 13 milionë euro, dhe që në këtë moment nuk ka nevojë për para. Gjithmonë, duke qëndruar tek Vilareali duhet të sinjalizohet prezencë e drejtuesve të Palermos në Madrigal për të parë mbrojtësin e majtë spanjoll, Angel. Dje, ndërkohë ka mbërritur lajmi se, Roberto Mançini ka siguruar Gai Asulin, 19-vjeçarin izraelit që është konsideruar si një ndër talentet më të mëdha të akademisë së Barcelonës.