16 dhjetor 2010

Del Neri: "Me Manchester Sitin do të jetë një ndeshje stërvitjeje"

Torino (Itali)- Manchester Siti do të jetë një lloj çmimi për lojtarët që kanë qëndruar gjatë në bankinë dhe të rinjtë e Juventusit, duke parë që aventura e bardhezinjve në Europa Ligë ka përfunduar tashmë. "Do të luajë kush është aktivizuar më pak në këtë sezon. Dëshirojmë të zhvillojmë një stërvitje të mirë. Dhe të arrijmë të fitojmë ndeshjen tonë të parë në Europa Ligë", ka nënvizuar Luixhi Del Neri, duke paralajmëruar edhe aktivizimin e disa lojtarëve nga të rinjtë. Më pas, trajneri juventin nuk ka harruar t'i përgjigjet edhe 'provokimit' që ka dërguar një ditë më parë Ciro Ferrara ndaj skuadrës së tij: "Të njëjtët pikë? Kemi punuar njësoj… Diferencën në këtë moment e bën karakteri, mentaliteti". Del Neri më pas, ka mbrojtur edhe ecurinë e skuadrës së tij në kupën europiane: "Jemi skualifikuar, por nuk ka qenë një dështim. Nuk kemi humbur asnjëherë, jemi sjellë me dinjitet. Mendoj që, skuadra ime ka zhvilluar një paraqitje shumë dinjitoze në Europa Ligë, për më tepër, duke luajtur ndeshje shumë të ndryshme në një moment kur skuadra ishte në ndërtim e sipër". Puna e madhe që është duke kryer ish- trajneri i Sampdorias po vlerësohet dhe presidenti bardhezi, Andrea Anjeli e ka vlerësuar trajnerin, duke i dhënë meritat e duhura: "Komplimentat të japin gjithmonë kënaqësi, sidomos ato që mbërrijnë nga presidenti, të cilin e vlersoj shumë dhe është një figurë shumë e rëndësishme për Juventusin. Do të thotë që ka zgjedhur mirë dhe jam i lumtur t'i jap të drejtë në konstatimin e tij. Kjo është meritë edhe e lojtarëve dhe e bashkëpuntorëve të mi. Nuk jam vetëm unë ai që punoj në këtë skuadër, janë shumë njerëz që formojnë një grup të bashkuar që në çdo moment të ditës është i impenjuar për të mirën e Juventusit".

Pavarësisht premtimeve, Del Neri nuk do të dërgojë në fushën e lojës një formacion plotësisht të ri, sepse "dëshirojmë të fitojmë të paktën një ndeshje në grupin tonë". "Grigera mund të jetë nga fillimi, Legrotalje do të luajë me siguri, por edhe Melo dhe Momo Sisoko mund të jenë titullarë në këtë ndeshje. Boniperti Junior është grumbulluar dhe gjatë ndeshjes mund të ndodhë gjithçka dhe mund të aktivizohet për një pjesë loje. Ai, Bushel, Xhiandonato, Kamileri dhe Xhianeti, mund të kenë shumë mundësi për të luajtur. Sigurisht që, ndeshja e të dielës kundër Kievos është akoma edhe më e rëndësishme për vazhdimësinë e skuadrës, kështu që duhet të tregohemi të kujdesshëm në menaxhimin e grupit". Trajneri bardhezi, në fund, ka bërë një lloj apeli për tifozerinë juventine, që do të gjejë përballë njeriun shumë të urryer, ish-trajnerin e Interit dhe tashmë tek Manchester Siti, Roberto Maçinin, duke parë që Baloteli ka qëndruar në shtëpi për të mos tensionuar situatën: "Mendoj që tifozët tanë duhet të jenë të kënaqur për atë që është duke bërë Juventusi në këtë moment, dhe nuk duhet të mendojnë për ndonjë gjë tjetër"..