07 dhjetor 2010

Del Neri: "Djemtë kanë luajtur shumë mirë "

Trajneri i Juventusit, Xhixhi Del Neri, ka komentuar me kënaqësi dhe gëzim fitoren e bardhezinjve në Masimino të dielën kundër Katanias. "Skuadra është përgjigjur mirë në fushën e lojës, është shprehur trajneri friulan për "Sky Sport", pas pesëmbëdhjetë minutave të para, ku Katania na ka vendosur në vështirësi, duhet të them që djemtë kanë luajtur shumë mirë, duke gjetur rrugën e golit. Nga ai moment më pas ndeshja ka qenë në binarët e duhur dhe kemi kontrolluar gjithçka". Tre pikët jashtë shtëpisë kanë rilançuar ambiciet e bardhezinjve në kampionat. "Klasifikimin nuk e shikoj, është shprehur Del Neri, por jam i kënaqur. Skuadra ka treguar cilësi të rëndësishme dhe një shpirt të madh karakteri. Katania nuk humbiste në shtëpi prej më shumë se një viti". Del Neri është i bindur gjithsesi, që bardhezinjtë mund të përmirësohen akoma më shumë në të ardhmen. "Na mungojnë akoma shumë lojtarë që janë të dëmtuar, ka shpjeguar trajneri bardhezi, merkatoja e janarit do të shërbejë për të mos mbetur pa lojtarë kur të kemi ndonjë të dëmtuar". Fjalët e fundit të trajnerit friulan kanë qenë për mesfushorin Alberto Akuilani. "Është duke kaluar një moment të veçantë, ka pranuar Del Neri në fund të komentit të tij, por kjo dihej. Deri më tani ka dhënë shumë për skuadrën, është e qartë që mund të ketë momente, në të cilat një lojtar nuk është në maksimumin e formës së tij".