08 dhjetor 2010

Cinike dhe e bashkuar Juvja e Del Pieros!

Kapiteni shijon fitoren e arritur ndaj Katanias dhe synon t’i qëndrojë afër kryesuesve të renditjes

Kanë kaluar tri ditë, por Alesandro Del Piero është akoma euforik për suksesin e arritur në “Masimino” dhe vazhdon të përkëdhelë Juventusin e tij: “Kënaqësia jonë në fund të ndeshjes në Katania besoj se ka qenë e dukshme para të gjithë atyre që na panë të festojmë poshtë tribunës së tifozëve tanë pas vërshëllimës finale të gjyqtarit, - tregon kapiteni bardhezi. - Të gjitha fitoret vlejnë tri pikë, por ka disa që janë të veçanta dhe të rëndësishme, duke parë momentin ku kemi mbërritur dhe të rezultateve që kanë marrë skuadrat e tjera”. Fitorja ndaj siçilianëve i lejon bardhezinjtë të jenë në “shina” me Milanin dhe Lacion dhe shërben për të harruar “dushin e ftohtë” që pësuan në Poznan kundër Lehut:

“Ne vijmë nga barazimi në Poloni, që na kushtoi skualifikimin në Ligën e Europës, - vazhdon Del Piero dhe luajtëm ndaj Katanias me ndërgjegjen e nevojës së një fitoreje për të rinisur gjithçka nga e para dhe për të qëndruar të ngjitur pas Milanit që me sa duket nuk po humbet asnjë “goditje”. Ja pse tri pikët në Katania ndikojnë shumë, para së gjithash sepse ia morëm një skuadre që në shtëpi nuk kishte humbur asnjëherë në vitin 2010-të. Nuk ishte e lehtë, për të fituar u desh një Juventus cinik, solid dhe i bashkuar, karakteristika që nuk duhet t’i humbasim që këtu e tutje, sepse na presin sfida po aq të rëndësishme, si ajo e së dielës që vjen kundër Lacios dhe që është përpara nesh në renditje”.

Ndërkohë Alberto Akuilani është dukur në një rënie të lehtë në daljet e fundit, por kundër Lacios (gjithnjë nëse do të luhet), duhet ta nisë sërish nga minuta e parë ndeshjen. Një sfidë, ajo e programuar të dielën në mbrëmje, që për ish-mesfushorin e Romës ka një domethënie të veçantë: “Duhet të jetë një ndeshje si gjithë të tjerat, - thotë Akuilani. - Tani luaj te Juvja dhe derbi im është ai me Torinon. Sigurisht, nëse kthehem prapa me kohën… po, është një ndeshje ndryshe për mua. Ata janë në një zjarr përbrenda, një skuadër e mirë, një surprizë autentike. Sfida me Katanian? Ishte një fitore e rëndësishme, një ndeshje që tregoi se jemi gjallë dhe që mund të luajmë ndaj kujtdo”.