10 dhjetor 2010

Bufon premton: Do të rikthehem numri 1

Portieri e sheh skuadrën e tij në luftë për titull: Juvja ka akoma nevojë për mua

Juventusi ka akoma nevojë për mua”. Xhixhi Bufon e sheh akoma të ngjyrosur bardhezi të ardhmen e tij: “Ky Juventus më pëlqen, - pranon portieri që po riaftësohet pas operacionit në hernien diskale dhe që pritet të rikthehet në fushë në fund të janarit që vjen. - Është i bashkuar dhe po përmirësohet akoma dhe më shumë. Fitorja në Katania është një përgjigje e shkëlqyer pas skualifikimit në Ligën e Europës. Gjendja ime? Jam mirë, po punoj shumë. Jam i bindur që mund të kthehem akoma numri një mes portierëve në Botë”.

Së bashku me Simone Pepen dhe Alberto Akuilanin, Bufoni ishte i ftuar në një mbrëmje të organizuar në Kaluzo, provincë e Torinos nga dy klubet e Juventusit “Montanaro” dhe “Curva Filadelfia”. Portieri i kombëtares nuk humb rastin për të dhënë gjykime mbi kampionatin italian: “Është i fortë, ka konkurrencë këtë vit, ndryshe nga vitet e fundit, - shpjegon ai -dhe kjo e bën edhe më të bukur garën. Deri tani çdo gjë është e hapur, edhe pse në të vërtet Milani në këto momente nuk ka pengesa. Lacio? Nuk është më një rastësi shpërthimi i saj. Mund ta kishim thënë këtë pas pesë javësh kampionat, ndërsa tani jo: tani meriton një duartrokitje. Është zbulimi i kampionatit.

A është Juvja për titull? Për momentin nuk është mirë të flasim. Më mirë të qëndrojmë me këmbë në tokë. Llogaritë bëhen gjithnjë në fund të sezonit. Gjendja ime? Dua të nënvizoj progreset e bëra në këto muaj. Nga ana tjetër, pas shumë vitesh, një futbollist mëson të njohë pikërisht fizikun e tij dhe përgjigjet që mund të japë në këto momente janë pozitive”. Një mendim edhe për kolegun Marko Storari, zëvendësi i tij dhe autor i një paraqitjeje të shkëlqyer në Katania, jo e para në këtë sezon: “Po paraqitet shumë mirë, - komenton Xhixhi, - dhe jam i kënaqur për të. Kombëtarja? Nëse do të shkoj asnjë s’mund të thotë asgjë, por nga ana tjetër ka edhe portierë të tjerë të mirë, si Abiati apo De Sanktis, që po paraqiten shumë mirë dhe do ta meritonin njëkohësisht një grumbullim të mundshëm”.