12 nëntor 2010

Toti-Romës: Një ndeshje vendimtare!

Kapiteni kërkon kujdes ndaj bardhezinjve. Ndërkohë Roma mbyll merkaton e janarit

Françesko Toti “shkund” Romën: “Me Juven një ndeshje vendimtare”. Kapiteni verdhekuq tregon rrugën që duhet ndjekur për të vazhduar ngjitjen drejt vendeve më të larta të renditjes: “Të mendojmë për këtë sfidë pa e mbajtur mendjen shumë te fitorja ndaj Fiorentinës”. Toti shprehet përmes adresës së tij zyrtare në internet, pasi skuadra duket se ka dalë nga kriza që e kishte prekur në fillim të sezonit.

Nesër është “big-match”-i në shtëpinë e Juventusit në po të njëjtin stadium si të kryeqytetit, “Olimpiko”. Kemi bërë një hap përpara në renditje, - shkruan numri 10-të verdhekuq. - Por nuk duhet të bazohemi te suksesi i fundit. Luajmë kundër Juventusit, një sfidë vendimtare për ecurinë tonë”. I lumtur është edhe Klaudio Ranieri. Trajneri roman është tashmë i bindur se ka rigjetur Romën e tij:

“E kam thënë edhe në kohë të tjera që skuadra ishte e bashkuar dhe mirë. Frytet e punës herët a vonë do të dilnin. Juventusi? Po mendojmë edhe për ndeshjen që fituam, sepse ka disa gabime që do t’i analizojmë. Në fillim ishte e vështirë, sepse hynim në fushë jo në 100%, por djemtë punuan mirë gjatë javës. Ishte një renditje e gënjeshtërt dhe shumë kritika, disa edhe të drejta. Por unë thoja që nuk është Roma e vërtetë.

Vuçiniç? Pas derbit nuk u stërvit asnjë ditë për arsye të ndryshme dhe doja që ta kisha sa më të freskët për sfidën ndaj Juves”. Ndërkohë fitorja kundër Fiorentinës ka sjellë entuziazëm në shtëpinë verdhekuqe edhe sa i takon merkatos, ku Daniele Prade i beson vetëm skuadrës së tij. Këtë e pohon vetë drejtori sportiv i Romës pas suksesit bindës ndaj skuadrës së Mihajlloviçit: “Përforcime në janar? Për momentin jemi mirë kështu, - shpjegon drejtuesi roman.

- Për momentin nuk kemi biseduar me asnjë. Organika është e plotë në të gjitha repartet, ndaj nuk shoh në horizont mundësinë konkrete për të bërë ndryshime të mëdha, si në shitje ashtu edhe në blerje”. Në këtë mënyrë shuhen zërat që qarkullonin për një shitje të mundshme në janar të Brigut, Vuçiniçit dhe Adrianos, ky i fundit, në vështirësi të dukshme fizike në fillim të sezonit.