12 nëntor 2010

Seria A përgatitet për një fundjavë shpërthyese

Midis së shtunës dhe së dielës do të ndeshen gjashtë skuadrat e para në renditje
Fati deshi që fundjava futbollistike e 13-14 nëntorit të jetë një nga më shpërthyeset e Serisë A. Që ishte një javë ku do të kishte përballje të rëndësishme kjo dihej që në momentin kur u publikua kalendari, por është interesant fakti që do të ndeshen 6 skuadrat e para të renditjes. Do të fillohet të shtunën me Juventus-Roma (vendi i pestë dhe i gjashtë në renditje), më pas e diela do të hapet me Lacio-Napoli (e dyta dhe e treta) dhe do të mbyllet me derbin Inter-Milan (vendi i katërt me të parin).
Qershia mbi tortë është derbi siçilian midis Palermos dhe Katanias të dielën në drekë. Dhe për një tjetër shaka të fatit dy formacionet siçiliane kanë 14 pikë në renditje. Kështu përveç nderit, do të luhet edhe për të kaluar njëri-tjetrin në klasifikim, aq sa duhet për ta bërë akoma më interesante sfidën, që është një nga më të zjarrtat e kampionatit italian. Një fundjavë që, me përjashtim të tre barazimeve, do të shkaktojë shumë ndryshime në vendet e para të renditjes.
Tri përballje dhe gjashtë skuadra që për këtë herë do të nisen absolutisht të barabarta. Kush do të humbasë nuk do të mund të fshihet mbas lodhjes për ndeshjet në Europë. Po, sepse të gjithë luajtën në mesjavë: asnjëra të martën ose të enjten. Sigurisht, ka nga ato skuadra që kanë mungesa të rëndësishme, por kjo është pjesë e futbollit.
Milani me një fitore në derbi ka mundësinë të thellojë diferencat ndaj ndjekësve. Tri pikët e kuqezinjve do ta çonin 6 pikë larg kampionëve në fuqi të Interit. Infermieria e dy skuadrave është plot me emra të rëndësishëm, aq sa mund të luhet një derbi midis të dëmtuarve, ndoshta në “Playstation”.
Juve dhe Roma do të ndeshen në një moment të mirë, pas një nisjeje zhgënjyese formacionet e Del Nerit dhe Ranierit u ringritën me kalimin e javëve, duke arritur te vendet e larta të renditjes. Në këtë sfidë është në lojë titulli “Anti-Inter & Milan). Ndërsa, Lacio dhe Napoli po përgatiten për ndeshjen me gjendje totalisht të ndryshme.
Bardhekaltrit mbas një fillimi shumë të mirë braktisën vendin e parë në klasifikim pas humbjeve kundër Romës dhe Çezenës dhe skuadra e Rejës duket se është bllokuar. Nga ana tjetër, Napoli po fluturon i udhëhequr nga Kavani dhe Laveci. Një fundjavë e gjitha për t’u përjetuar, që nuk duhet humbur sepse spektakli dhe emocionet janë të garantuara në këto përballje.

Maxarri: Të mendojmë për renditjen

Trajneri i Napolit, Maxarri, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të gëzojë, edhe pse në fshehtësi, pas fitores së marrë në minutën e fundit kundër Kaljarit: “Të vazhdojmë kështu, unë, lojtarët dhe klubi. Të mos ndikohemi nga zërat që vijnë jashtë skuadrës, deri në fund, të mos mendojmë për renditjen: ndonjëherë jemi të lodhur, luajmë gjithmonë po duhet të shkojmë sa më larg të jetë e mundur me forcat tona. Në futboll fitoret e përkohshme nuk kanë rëndësi. Të presim fundin e kampionatit dhe më pas do të bëjmë llogaritë. Laveci? Që kur i ka vënë për qëllim vetes të luajë më afër portës rezultatet shihen”, ka thënë Maxarri.

Reja: Nuk kemi dhënë maksimumin

Lacio ka humbur në Çezenë, por mbi të gjitha ka humbur vendin e parë në renditje. “Kemi luajtur më mirë, por më pas gjatë 90 minutave nuk kemi bërë aq sa duhej për të merituar fitoren, - ka thënë tekniku i Lacios, Reja. - Kemi prodhuar pak raste. Zarate? Në aspektin fizik është mirë, por niset gjithmonë me topin në këmbë dhe bën lëvizje që nuk japin asnjë rezultat.
Duhej të kishim luajtur më shumë në krahë dhe një lojtar si Zarate kërkon vetëm lëvizjet individuale, kur duhet pasuar topi. Ishte e drejtë të bëja pak rotacion, pas derbit ka pasur shumë lojtarë të lodhur fizikisht dhe në aspektin psikologjik”.

Mihajlloviç: Skuadra nuk kishte guxim

Sinisha Mihajlloviç ka qenë kritik me Fiorentinën e tij, menjëherë pas humbjes së pësuar në fushën e Romës: “Para ndeshjes i kam kërkuar lojtarëve të kenë guxim, por nuk e kemi pasur me përjashtim të dy rasteve. Kemi menduar më shumë për t’u mbrojtur se sa për të sulmuar: kundër këtyre skuadrave nëse mbrohesh herët ose vonë do të pësosh golin.
I pari ka qenë një dhuratë e jona. Nëse luajmë kështu kundër skuadrave si Roma nuk do të shkojmë shumë larg. Në pjesën e parë kemi pasur një mentalitet të gabuar, dukej sikur ishim të dorëzuar”, ka thënë trajneri i Fiorentinës.