12 nëntor 2010

Kielini sfidon Ranierin: Do të të mund!

Mbrojtësi bardhezi paralajmëron ish-trajnerin e tij për ndeshjen në Torino: Duhet të jemi më agresivë

Me barazimin e arritur të mërkurën në mbrëmje në shtëpinë e Breshias, Juventusi, mungoi në mësymjen drejt kreut. Megjithatë Xhiorxhio Kielini, i cili u rikthye pas një dëmtimi, bën autokritikë: “Për të ruajtur hapin e Milanit kryesues, duhet t’i fitojmë ndeshje të tilla si ajo në Breshia, - tha mbrojtësi.

- Të mërkurën na mungoi përqendrimi, agonizmi dhe agresiviteti. Por ecuria jonë është e mirë, po përmirësohmi në çdo ndeshje, po i shoh gjërat në mënyrë pozitive”. Nesër kundër Romës së ish-trajnerit Ranieri, vjen rasti për të ngjitur renditjen që tashmë është bërë e ngjeshur dhe interesante me skuadra “big” në krye me fare pak pikë larg njëra-tjetrës. “Kampionati është shumë i ekuilibruar, - vazhdon Kielini.

- Interi ka pësuar shumë dëmtime, pak a shumë si ne. Në krahasim me sezonin e shkuar, zikaltrit nuk kanë bërë ndryshime të mëdha në organikë. Napoli e Palermo janë përforcuar shumë. Kampionati ka një nivel të lartë në aspektin fiziko-taktik: edhe të ashtuquajturat ekipe të vogla të shqetësojnë tani.

Jam i kënaqur që Ranieri po e rimerr veten pas një fillimi të vështirë, por nesër do të bëj gjithçka për të provuar ta mund: Juvja kërkon ta mbyllë sezonin përpara Romës. Kemi një sfidë të madhe që nuk duhet gabuar. Gjendja ime? Jam mirë pas pushimit tim, por në fillim të ndeshjes me Breshian kisha pak frikë”.Sidoqoftë Kielini nuk kërkon justifikime:

“Emergjenca s’ka të bëjë, jemi mirë dhe kemi cilësi të mjaftueshme për të fituar në këto fusha. Mendoj që gabimet e bëra në Breshia s’duhen përsëritur me Romën, por një skuadër e madhe di të vuajë dhe fitojë edhe në situata të vështira”. Barazimi me Breshian ia fshiu kënaqësinë edhe Fabio Kualjarelës për golin e gjashtë në kampionat: “Jam i lumtur për vazhdimësinë time para portës, por më vjen keq që goli nuk solli tri pikët.

Ndeshja ishte e vështirë, Breshia u mbrojt mirë, por ne nuk patëm fat”. Në tribunë ishte edhe Çezare Prandeli: “Unë përpiqem të kënaq Del Nerin dhe punën që bëjmë së bashku gjatë javës. Tani Juvja duhet të mendojë të rekuperojë energjitë për sfidën ndaj Romës”.