13 nëntor 2010

Juventus-Roma, Del Neri përcakton objektivat

Torino (Itali)- Tre pikë të rëndësishme, shumë të rëndësishme: por nuk është momenti i përshtatshëm për të folur për titullin kampion. Kjo, në një përmbledhje të ngushtë, sinjifikimi i fjalëve të Xhxhi Del Nerit përpara ndeshjes së të shtunës në Torino ndërmjet Juventusit dhe Romës: "Kush fiton këtë ndeshje mund të vazhdojë të udhëtojë me një shpejtësi të rëndësishme dhe të vazhdojë të mendojë si një skuadër e madhe për objektiva të rëndësishëm", shprehet trajneri bardhezi, që saktëson ndërkohë që "është qesharake në këtë moment të mendosh se kush do të fitojë titullin kampion".

Juventusi prezantohet në këtë ndeshje direkte me një pikë të vetme avantazh ndaj rivalëve: avantazh që mund të ishte akoma më i madh nëse në Breshia bardhezinjtë do të kishin arritur të evitonin përmbysjen e të zotëve të shtëpisë: "Pikët janë gjithmonë komode dhe në fund të vitit edhe këto pikë do të kenë shumë rëndësi, minimizon Del Neri, në Breshia nuk është e vërtetë që kemi humbur një mundësi të mirë. Objektivi jonë është të vazhdojmë të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje. Dhe me Romën do të jetë një ndeshje e rëndësishme, siç ka qenë ajo në Breshia dhe siç do të jenë edhe ndeshjet e ardhshme. Për të mundur skuadrën verdhekuqe do të duhet një Juventus më cinik se ai që është parë në fushën e lojës të mërkurën në 'Rigamonti', një Juventus i ngjashëm me atë që ka fituar në San Siro kundër Milanit". E rëndësishme, për trajnerin Del Neri, është që Juventusi të vazhdojë të tregojë identitetin e saj, në fushën e lojës dhe jashtë saj: "Grupi është shumë kompakt, beson në atë që bën. Kush dëshiron të fitojë diçka, duhet të japë gjithmonë më të mirën. Në Breshia pas golit, kanë shkuar të gjithë të përqafojnë Kualjarelën me intensitet të madh dhe duke e parë me kujdes edhe ky është një sinjal i rëndësishëm". Dhe ndërkohë, infermieria e tej mbushur është duke u zbrazur, kthehen në dispozicion Felipe Melo, Amauri dhe Armand Traore. Por skualifikimi i Marko Motës e detyron trajnerin Del Neri të studiojë një zgjidhje të re për krahun e djathtë të mbrojtjes, duke mos pasur alternativa në dispozicion: "E kam zgjidhur, por nuk do jua them mënyrën sesi", buzëqesh poshtë mustaqeve trajneri bardhezi.

Përsa i përket Romës dhe paraardhësit të tij në bankinën juventine, Klaudio Ranieri, Del Neri shprehet: "Përballë do të kemi një skuadër që ka kryer një punë të madhe sezonin e shkuar dhe është përforcuar akoma më shumë me mbërritjen e Marko Borrielos. Ka lojtarë të rëndësishëm si Toti dhe Vuçiniç, por edhe të rinj shumë interesantë si Greco. Ka gjithçka për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Klaudio Ranieri ka kryer një punë të madhe kudo që ka shkuar dhe është duke u konfirmuar mirë edhe në Romë falë eksperiencës së madhe që ka". Rezultati i ndeshjes Juventus-Roma do të ndikojë në një fundjavë me përplasjet e skuadrave kryesuese: në 24 orë do të përplasen gjashtë skuadrat e para në renditje. "Do të jetë një javë e bukur, shprehet Del Neri. Deri në këtë moment, kampionati ka qenë shumë i ekuilibruar dhe asnjë nuk po tregohet më i fortë se të tjerët. Është akoma shumë shpejt për të folur për titullin kampion, por e dimë që ka shumë skuadra që e kanë fitoren në ADN e tyre". Ashtu si Toti dhe Del Piero, dy flamurtarët e përjetshëm që do të jenë përsëri përballë njëri-tjetrit: "Diferencat? Për mua gjashtë vite më pak, në sensin që kam stërvitur Totin gjashtë vite më parë dhe Del Pieron e stërvis përsëri tani. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm, kanë cilësi të jashtëzakonshme, kanë një ndjenjë përkatësie të jashtëzakonshme për skuadrën ku punojnë. Janë dy lojtarë që kanë cilësi të përafërta në brendësi të grupit".