13 nëntor 2010

Edhe Prandeli largon Kasanon, "Të zgjidhë problemet me Sampdorian"

Romë (Itali)- Në një intervistë ekskluzive për gazetën sportive italiane 'Gazzetta dello Sport', trajneri i kombëtares italiane, Cesare Prandeli, ka prekur shumë tema të nxehta dhe është shprehur hapur për çdo çështje. "Kam thënë që, në fillim që nuk do të grumbulloja lojtarë që do të tregonin pak edukatë ose do të kryenim sjellje të dhunshme. Kur një lojtar ka mbetur jashtë skuadre nuk mund të luajë në skuadrën kombëtare. Nuk do ta braktis Kasanon, por tashmë duhet të zgjidhë problemet e tija me Sampdorian. I kam folur, kam pasur përshtypjen që dëshironte të largohej nga futbolli. I kam këshilluar të reflektojë, të qëndrojë me familjen". Është i qartë mendimi i trajnerit të kombëtares italiane Cesare Prandeli mbi situatën që është duke kaluar Kasano me klubin e tij. "Baloteli? Është i ndryshëm, ka vazhduar idenë e tij trajneri i kombëtares italiane. Isha në stadiumin e Manchester Sitit, ndëshkimi me karton të kuq nuk është dhënë për shkak të impulsive negative. Baloteli ishte duke luajtur një ndeshje të vërtetë, si një lojtar i vërtetë, gjëra normale".

Projekte për të ardhmen

Prandeli i ka hapur dyert e skuadrës kombëtare Diamantit, që të mërkurën ka qenë autor i një goli të shkëlqyer ndaj Juventusit: "Kam lexuar marrëdhënie të mira, kam shkuar të shikoj ndeshjen Breshia-Juventus. Kam gjetur një Diamanti të ndryshëm, më të vazhdueshëm në lojë. Më ka pëlqyer fair-play i tij, kur i ka thënë arbitrit që Kielini nuk kishte kryer një faull për penallti. Mund të meritojë grumbullimin. Akuilani? Nëse do të kishte qenë mirë, Lipi do ta kishte marrë në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut. Është një lojtar i rëndësishëm, është gati për t'u kthyer. Santon? Mbase i ka djegur etapat. Do e ndjekim me kujdes. Fabrini i Empolit? E mbajmë nën vëzhgim, por ka të drejtë të rritet në qetësi. Ka 3-4 lojtarë që luajnë në Serinë B që po i monitorojmë me kujdes. Për shembull? Ogbona i Torinos". Lojtarët e mëdhenj të futbollit italian si Toti, Del Piero dhe Gatuso ëndërrojnë përsëri skuadrën kombëtare. "I falenderoj, shprehet Prandeli, sepse janë një shembull i rëndësishëm për të rinjtë, por mendoj se nuk kemi nevojë".

Një proverb për paqen

Përsa i përket kampionatit italian dhe ecurisë pas 11 javëve të para që janë zhvilluar, Cesare Prandeli është shprehur: "Për momentin, Seria A nuk ka një padron dominues. Janë shumë skuadra që mbeten në garë për titullin kampion. Derbi Milanos do të jetë spektakolar. Mendoj që, sot Benitez paguan faktin që kërkon diçka të ndryshme. Alegri tashmë punon me tre mesfushorë, sepse kërkon më shumë ekuilibër". Mbi Fiorentinën nuk dëshiron të shtojë akoma më shumë polemikat pas fjalëve të shprehura nga Dela Vale: "Nuk i jam propozuar asnjëherë skuadrave të tjera. Një proverb arab thotë; 'Fryti i paqes është tek pema e qetësisë'. Në fund, mbi të rinjtë dhe të ardhmen e futbollit italian ai është shprehur: "Duhet të rikthehet cilësia tek sektori i të rinjve: më pak punë fizike, më pak taktikë. Unë gjithsesi mbetem shumë optimist për të ardhmen".