13 nëntor 2010

Dzeko nuk mendon për transfer

Sulmuesi kryesor i Wolfsburgut, Edin Dzeko ka thënë se nuk mendon rreth transferimit, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.

Ylli boshnjak është njëri prej sulmuesve më të kërkuar në Evropë dhe ka shënuar shtatë gola në 11 ndeshje në Bundesligë këtë sezon.

Manchester City spekulohet se e ka vënë 24 vjeçarin në krye të listës së objektivave të tyre, por edhe Juventus thuhet se është duke përcjellë me kujdes gjendjen e tij në Wolfsburg. Mirëpo, sulmuesi ka theksuar se është i përqendruar në klubin e tij aktual dhe nuk dëshiron të bisedojë rreth një transferimi të mundshëm.

“Nuk jam njeri i cili u shkakton brenga të tjerëve. Pas vendimit të klubit (për bllokimin e largimit të tij gjatë verës së shkuar) jam përqendruar plotësisht në Wolfsburg dhe sezonin para nesh. Dua të shënoj golat e mia. Nuk është aq e vështirë të mbetem, ju duhet të tregoni se keni karakter të fortë. Në këtë moment ndiej se nuk është e dobishme të mendoj rreth largimit nga klubi”, tha Dzeko për Eurosport.