11 nëntor 2010

Çështja “Bufon”, mbetet sërish mister

Drejtori i përgjithshëm bardhezi Marota dhe menaxheri i lojtarit, janë takuar, por pa zbardhur detaje

Xhixhi Bufon vazhdon të mbetet një mister në shtëpinë e Juventusit. Drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve Xhiuzepe Marota dhe menaxheri i portierit të kombëtares, Silvano Martina, janë takuar dje duke ushqyer kështu zërat e merkatos për një lamtumirë të mundshme të portierit 33-vjeçar që në merkaton e janarit, me destinacion Mançester Junajtid. “Unë dhe Marota njihemi prej 40 vjetësh, kështu që flasim gjithnjë, - shpjegon menaxheri i lojtarit, Martina.

- Unë pastaj te Juventusi nuk përfaqësoj vetëm Xhixhin, por kam nën kujdes edhe prokurën e Lanzafames. Është një djalosh i mirë, - vazhdoi Martina, - dhe po vazhdon programin e riaftësimit në harmoni të plotë me grupin mjekësor. Rikthimi i tij konfirmohet kësisoj për në janar. Vjen nga një dëmtim i rëndësishëm, do ta takoj shumë shpejt”.

Çështja “Bufon” në Torino ka shpërthyer me rastin e mungesës së lojtarit në foton kolektive të skuadrës. Gjithçka më pas u amplifikua menjëherë pas deklaratës së trajnerit, Del Neri, i cili tha se Bufon duhet të vinte ndonjëherë t’i takonte në stërvitje. Por portieri bardhezi u justifikua se është marrë më shumë me riaftësimin dhe në ditën e fotos së skuadrës ishte në Zvicër për të tërhequr një çmim, diçka që ishte e parashikuar prej kohësh.

Megjithatë, kjo nuk mjafton për të penguar zërat që shohin një largim të tij nga Torino. Madje për shumë arsye. Së pari Bufon merr thuajse 5 milionë euro në sezon dhe në vitet e fundit nuk ka luajtur me vazhdimësi për shkak të problemit në hernien diskale, për të mos harruar që mungoi edhe në Botëror (luajti vetëm një ndeshje).

Së dyti, zëvendësi i tij Storari ka punuar mirë dhe Del Neri ka marrë përgjigjet e duhura nga ish-portieri milanist. Kështu që një shitje e tij në Angli te Siti apo Junajtid qoftë, nuk do të prishte asnjë plan, por do të kursente disa milionë euro për arkat e klubit bardhezi.