Camoranesi forcon Milanin?
Milano, 18 gusht - Mesfushori i Juventusit, Mauro Camoranesi, pritet të transferohet te skuadra e Milanit para përfundimit të afatit kalimtar të verës. Lajmi është bërë i ditur të martën nga gazeta italiane "Tuttosport", ndërsa është konfirmuar edhe nga agjenti i Camoranesit, Sergio Fortunato. "Për momentin asgjë nuk ka zyrtare, por jemi në kontakte me Milanin dhe Camoranesi është i gatshëm të pranojë ofertën e këtij klubi", ka deklaruar Fortunato. Për Camoranesin 33-vjeçar interesim gjatë kësaj vere patën treguar edhe Olympiacos, Olympique Marseille e Birmingham City.