16 shkurt 2010

Zakeroni dhe Gasperini: Faull jashtë zone

Trajneri i Juves dhe i Xhenoas “përgënjeshtrojnë” Del Pieron: Gjyqtari e pati të vështirë ta shohë

Jemi më të qetë. Fitorja është “ilaçi” më i mirë, shpresojmë që kjo fitore të jetë një pikënisje për ne. Tani na presin konfirmime në ndeshjet e ardhshme”. Është krejtësisht realiste dhe e kuptueshme analiza e Alberto Zakeronit, i cili, nga suksesi i tij i parë me bardhezinjtë, merr vetëm të mirën, pra, rezultatin. “Kjo organikë është e rëndësishme, vazhdon Zakeroni. - Tani shpresojmë që kjo fitore të na e heqë frikën. Në fillim pashë Juventusin e vjetër…”.

“Kur pësuam golin e parë, reaguam menjëherë, nënvizon trajneri juventin. - Hoqëm një peshë të rëndë nga vetja, filluam të gabojmë gjithnjë e më pak dhe në fund fituam”. Ajo që vendosi ndeshjen ama ishte një 11 metërsh i dyshimtë: “Ishte e vështirë të gjykohej nga gjyqtari në atë situatë, komenton Zakeroni. - Topi kishte hyrë brenda zonës dhe ndoshta kjo e gënjeu gjyqtarin e ndeshjes.

Pra, nuk ishte 11 metërsh, por faull jashtë zone”. Në aspektin taktik, trajneri bardhezi është i kënaqur nga loja sulmuese e skuadrës së tij: “Në ndeshjet e kaluara linim shumë hapësira, ndërsa ndaj Xhenoas patëm më shumë kurajë me Kaseresin në të djathtë dhe De Çeljen në të majtë, pastaj cilësia e Amaurit dhe e Del Pieros nuk diskutohet. Pas 20 minutave të para pashë një paraqitje të bukur. Pas një goli si ai i barazimit 2 2, skuadra demoralizohet, por në të vërtetë e ringriti kokën”.

Ndërkohë, Xhiampiero Gasperini është i inatosur pas humbjes në shtëpinë e Juventusit. Në veçanti, trajneri i Xhenoas nuk është dakord me 11 metërshin që u dhuroi fitoren bardhezinjve: “Një dredhi e Del Pieros më duket, tha trajneri kuqeblu në fund të ndeshjes. - E ngadalësoi ritmin për të kërkuar kontaktin me lojtarin tonë, faull ndër të tjera, që ndodhi jashtë zonës. Na vjen shumë keq, sepse nuk i lejuam thuajse asgjë Juves. Jam i shqetësuar për rendimentin tonë në ndeshjet jashtë fushe: një pikë në Torino do të ishte e artë, por nuk kemi as fat”.