16 shkurt 2010

Xhenoa akuzon Del Pieron: S’është i ndershëm

Presidenti kuqeblu është i inatosur pas 11-metërshit të paqenë të dhënë për Juventusin

Gasperini tha që Del Piero u tregua dinak? Është një kampion që festoi 445 ndeshje me Juven dhe pas kësaj sjelljeje më duket e qartë që ndershmëria sportive nuk ekziston më”. Është i inatosur Enriko Preciozi, presidenti i Xhenoas, dy ditë pas humbjes në Torino kundër Juventusit për një 11-metërsh të paqenë, i cili erdhi për një faull ndaj kapitenit bardhezi. “Gjyqtari vërshëlleu një 11-metërsh që Del Piero e dinte që nuk ishte, - vazhdon numri një i kuqebluve.

- Aleksi mund të kishte thënë të paktën që faulli ishte jashtë zonës. Them, se pavarësisht nga këto, Gasperini i referohej këtij rasti kur foli për dinakëri. Në këtë botë dinakët fitojnë gjithnjë dhe gjyqtarët shpesh bien në kurth.

Nuk e kuptoj sesi nuk e pa vijërojtësi aksionin. Pozicioni në fushë i tij ku ishte? Mua më intereson pak nëse dikush ndëshkohet, por më intereson që gjithçka të ecë mbarë. Janë situata të qarta, që nuk korrigjohen”. Zgjidhja, sipas numrit një gjenovez, është ajo e përdorimit të teknologjisë në shërbim të gjyqtarëve: “Thuhet se teknologjia nuk duhet përdorur, por edhe një herë tregohet e kundërta pasi 11-metërshi nuk ishte, sikundër dhe kontakti. Na vjen keq, sepse ndonjëherë gjyqtarët bien në kurth nga lojtarët.

Që faulli ishte jashtë zone, është një gjë e sigurt, por nuk është një kontakt për 11-metërsh, - nënvizon ai. - Ai 11-metërsh nuk ishte, nuk qe brenda zonës, ndaj nuk diskutohet. Juvja mori një tjetër 11-metërsh të tillë ndaj Lacios, i dyti në tri ndeshje. Duam të eliminojmë dyshimet, por disa gabime janë të vazhdueshme dhe shumë të dukshme.

Më vjen keq për rezultatin, edhe pse nuk ishim të plotë, ishim pranë barazimit. Ky episod na ndëshkoi. Unë mbaj qëndrim”. Pikërisht pas kësaj kanë lindur polemika pas ndeshjes: “Çdo gjë që ndodh në fushë është e amplifikuar dhe të bën të deklarosh gjëra që s’është mirë të thuhen, - shpjegon Preciozi. - Është një botë që ushqehet nga polemikat. Pse në Itali çdo ditë pas një ndeshjeje ka gjithnjë polemika? Ndoshta sepse nuk ekziston më kultura e tifozerisë, duhet të reflektojmë mbi këtë. Duhet të shmangim që këto episode të mos ndodhin më”.