11 shkurt 2010

Xhenaro Gatuzos i kthehet makina e vjedhur, që u kap në Shqipëri

U është dorëzuar autoriteteve italiane makina në pronësi të futbollistit të Milanit dhe Italisë, Xhenaro Gatuzo, e cila ishte vjedhur në Itali për t’u sekuestruar më pas nga policia shqiptare në rrugët e Mamurrasit. Vjedhja e “Range Rover”-it ishte kryer më 2 tetor të 2006-s dhe sipas policisë shqiptare, ai që e transferoi makinën në Shqipëri ishte qytetar italian. Bllokimi i “Range Rover” (të vjedhur) në nëntorin e vitit të kaluar, është bërë falë një sinjalizimi të ardhur në policinë shqiptare nga autoritetet italiane. Prej 3 vitesh, makina e Gatuzos qarkullonte në Shqipëri me targa shqiptare. Ndaj pronarit shqiptar, që iu kap makina, por madje edhe ndaj nëpunësve të zyrës së Regjistrimit të Automjeteve, është hapur procedim penal. “Range Rover” i Gatuzos ishte mes shtatë veturave, mes të cilave një “Porsche Carrera” e një “Mercedes Benz E320”, që hetuesit shqiptarë ua kanë rikthyer pronarëve në Itali, Norvegji e Greqi. Gatuzo nuk është futbollisti i vetëm që bie pre e hajdutëve ballkanikë. Edhe makina e shokut të tij të skuadrës, Bekhamit (e vjedhur, kur luante te Reali), u kap në Maqedoni. Shqipëria e ka luftuar trafikun e automjeteve luksoze të vjedhura në Europën Perëndimore falë bashkëpunimit me policinë dhe kompanitë e sigurimit. “Investigo në Shqipëri, makina jote ka shkuar tashmë atje”, thotë, sipas shtypit italian, një batutë, që qarkullonte mes biznesmenëve në Gjermani në vitet ‘90.