10 shkurt 2010

West Ham zbret rrogat, Behrami drejt largimit

West Ham United nuk po kalon momente të mira në Premierligë. Përpos faktit se gjendet në pozitën e 18 në tabelë, vend ky që nuk siguron mbijetesën, klubi londinez po përballet me probleme të mëdha financiare. West Ham ka borxhe prej 110 milionë funtesh.
Tash, pronarët e rinj të klubit, David Gold e David Sullivan, kanë kërkuar nga futbollistët që t’ua zbresin rrogën e tyre për 25 për qind. Nga kjo zbritje do të zbutej sadopak borxhi i Hammers. Zbritja eventuale e rrogave mund ta shpie futbollistin kosovar, Valon Behrami, drejt largimit, gjatë verës që po vjen, ngase ai nuk do të ishte i gatshëm ta pranonte këtë ndryshim, shkruan tabloidi britanik, The Sun.
Hammers i kanë ende 2.5 milionë funte borxh nga 5 milionë sa e kishin blerë Behramin nga Lazio në vitin 2008. 24-vjeçari nuk është ambientuar si duhet me jetën e re në Londër dhe në Angli, kështu që familja e tij duket të jenë të pavendosur, rreth qëndrimit apo jo në ishull.
Për mesfushorin kosovar, interesim kanë shprehur disa skuadra angleze, duke përfshirë këtu edhe Manchester City, Arsenal e Manchester United. Megjithatë, rikthimi në Itali është më i dëshiruar. Palermo ka shprehur interesim për përfaqësuesin zviceran, ndërsa prapa nuk mbetet as Juventus.