09 shkurt 2010

Vendi i katërt, “fiksimi” i Xherrardit

Kapiteni i Liverpulit: Duhet të përsërisim paraqitjet e ndeshjeve të fundit
Stiven Xherrard u ka bërë thirrje shokëve të skuadrës së tij që të vazhdojë serinë e mirë të rezultateve pas fitores kundër Evertonit dhe të zërë një vend në katërshen kryesuese në fund të sezonit. Të kuqtë kanë treguar vazhdimësi javët e fundit në rezultatet e tyre pozitive dhe të shtunën që shkoi ata dhanë një tjetër performancë të mirë kundër rivalëve historikë të Evertonit. Xherrard ishte i kënaqur me fitoren 1-0 dhe me lojën e Liverpulit, sidomos kur Liverpuli luajti për 55 minuta me dhjetë lojtarë, duke qenë se mbrojtësi Sotirios Kiriakos u ndëshkua me karton të kuq. Kapiteni i Liverpulit shpreson që forma e tyre e mirë të vazhdojë edhe kundër Arsenalit sonte.
“Eshtë përherë kënaqësi të fitosh në derbi kundër Evertonit, por më shumë na kënaqi mënyra se si fituam, sidomos pasi një lojtar i yni doli me karton të kuq, pas vetëm 35 minutash lojë”, tha Xherrard për “Liverpool Echo”. “Mendoj se treguam karakter të fortë dhe luajtëm mirë në disa momente të ndeshjes. Mendoj se e merituam plotësisht fitoren. Në fund të ndeshjes mund të shihej qartë se sa rëndësi kishte për secilin prej nesh ajo fitore dhe më pas në dhomat e zhveshjes atmosfera ishte po aq e bukur; të gjithë jemi ende të lumtur.
Tani duhet ta marrim këtë moral të lartë dhe të përfitojmë prej tij edhe në ndeshjen e radhës. Do të jetë ndeshje e fortë, siç janë përherë ndeshjet në transfertë në fushën e Arsenalit. Por në të shkuarën fitorja kundër Evertonit na ka shërbyer si paltformë dhe duhet të na shërbejë edhe tani. Ne duam ta vazhdojmë sa më gjatë serinë e ndeshjeve pa humbje dhe të marrim rezultate të mira.” Rezultati ishte edhe më i ëmbël për Liverpulin, duke qenë se Mançester Siti u mund nga Hull Siti më vonë, kurse Totenhemi barazoi pa gola kundër Aston Vilës.
Skuadra e Rafa Benitezit tashmë është në vend të katërt, që i jep biletën për në Ligën e Kampionëve vitin që vjen, por Xherrard nuk dëshiron të jetë euforik. “E dimë se kemi edhe shumë rrugë për të bërë dhe duam të sigurohemi që në fund të sezonit të jemi në katërshen e parë. Performanca të tilla si ajo kundër Evertonit do të na japin atë që duam. Ne duhet të përpiqemi të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse nuk na lejohen gabimet. Presioni që na vjen nga Totenhemi, Mançester Siti dhe Aston Vila është i madh. Kalendari na rezervon edhe disa ndeshje të forta, por nëse vazhdojmë të luajmë si në gjashtë javët e fundit, nuk ka arsye që të mos ruajmë vendin e katërt.