09 shkurt 2010

Vazhdojnë meseletë e Tiranës, ikën Dede “vjen” Muka

Tiranë – Devi Muka do të jetë “trajneri” i ri i Tiranës, pas largimit demonstrativ të Nevil Dedes nga drejtimi i 24 herë kampionëve.Dede pati zëvendësuar Alban Tafajn në stolin e Tiranës, pasi ky i fundit është pezulluar për një vit pas incidentit në derbin me Dinamon. Dede lëshoi akuza të forta ndaj trajnerit të parë, duke e cilësuar të pamundur bashkëpunimin me të.
“Kam dhjetë ditë që bisedoj me drejtuesit e klubit, dhe në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më. Me një person siç është trajneri i tanishëm (Alban Tafaj), unë nuk mund të vazhdoj të bashkëpunoj. E kam të vështirë që të largohem nga Tirana, por dikush duhet të reagojë", është shprehur Dede për një nga televizionet shqiptare.
Në fakt, një largim i mundshëm i Dedes nga Tirana ishte përfolur edhe më parë, nëse atij nuk do t’i jepej roli i trajnerit të parë pas pezullimit të Tafajt.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, drejtuesit e klubit Tirana kanë biseduar me lojtarët për situatën në ekip. Në mbledhje u vendos që rolin e Dedes ta marrë kapiteni i skuadrës, Devi Muka.
Ndërkohë vetë trajneri i parë, Alban Tafaj ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë në rolin e drejtorit teknik dhe të bëjë stërvitjet, dhe sipas tij, Muka do të jetë ai që do të merret me punët në pankinë.