10 shkurt 2010

Van Der Vaart: Do të jem tifoz i Atleticos

Mesfushori i Real Madridit, Rafael Van der Vaart, gjatë një konference për shtyp ka thënë se këtë fundjavë do të jetë tifoz i rivalit të qytetit, Atletico Madrid, për të shpresuar që të shënojë fitore kundër liderit të La Ligas, Barcelona.
“Fillimisht ne duhet ta mposhtim Xerezin, dhe pasi të fitojmë, do të bëhem tifoz i Atleticos”, ka thënë holandezi.
Van der Vaart shpreson se nëse kjo ndodh, atëherë do të ngushtohet në dy diferenca e pikëve me kampionin në fuqi.
Veç tjerash, mesfushori ka shprehur edhe dëshirën e tij personale që të aktivizohet në ndeshjen kundër Xerezit dhe të shënojë gol, që do të ishte dhurata më e mirë për ditëlindje (të enjten, Van Der Vaart mbush 27 vjet).