04 shkurt 2010

Transferim i gabuar

Christoph Metzelder beson se transferimi në Real Madrid ka qenë gabim i madh dhe thotë se ka humbur tre sezone të karrierës së tij. 29-vjeçari iu bashkua gjigantit madrilen, në vitin 2007, nga Borussia Dortmund dhe konsiderohej njëri prej mbrojtësve më të mirë në Bundesligë.
Por, prej kur erdhi në Santiago Bernabeu, karriera e tij pësoi rënie. Vetëm 22 paraqitje për Real Madridin nënkuptuan që humbi vendin e tij në Kombëtaren e Gjermanisë, duke u bërë njeri i harruar.
Metzelder ka pranuar se është duke i numëruar ditët, deri në skadimin e kontratës së tij gjatë verës. “Nuk mendoj se klubi do të më vazhdoj kontratën. Por, edhe nëse gjërat ndryshojnë papritmas, do të kërkoj përfundimin e aventurës time në Real Madrid. Kam ëndërruar të luaj me futbollist të mëdhenj, por me sinqeritetin më të madh, kanë qenë tre vite të humbura”, tha Metzelder, gjatë një interviste me të përditshmen gjermane Kicker.
Metzelder ishte paraqitur në të gjitha ndeshjet e Gjermanisë në Euro 2008, por tani beson se pak shanse të ftohet në ekipin e Joachim Low për Kampionatin Botëror, që zhvillohet këtë verë, në Afrikën e Jugut.
“Nëse duhet të jem realist, duhet të pranoj se me siguri se nuk do të jem atje. Nuk kam pasur asnjë kontakt me selektorin Low për rreth një vit. Po ashtu selektori i Kombëtares, kurrë nuk është interesuar për mua ose të vij të më përcjell duke luajtur. Në fakt kam luajtur pak, shumë pak”, deklaroi ai.
Metzelder ka bërë 47 paraqitje për Gjermaninë. Ai me siguri do të largohet nga Real Madrid, në fund të këtij sezoni. Destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë rikthimi në Bundesligë.