12 shkurt 2010

Toti, sërish nuk e mbajnë gjunjët

Nuk ka paqe për Françesko Totin dhe për gjurin e tij. Që nga dita e ndeshjes ndaj Parmës (20 dhjetor), kapiteni verdhekuq vuan nga një problem në tendinë, që duket me një fryrje herë pas here nëse bën ndonjë sforcim të tepërt. Toti “i shtrëngoi dhëmbët” të dielën e shkuar ndaj Fiorentinës, dhe në fushë nuk u pa Françeskoja i vërtetë.
Motiv për të cilin, edhe pse lojtari është gjithnjë i gatshëm të sakrifikojë, mund të vendosë ta kursejë kundër Palermos dhe ndaj grekëve të Panathinaikosit në Ligën e Europës. Edhe pse Ranieri është “kundër”, sepse, sipas tij, disa ditë më parë ai deklaroi që Toti duhet të luajë që të jetë më pas “i stërvitur”. Kapiteni roman ka zhvilluar pak stërvitje brenda një muaji e gjysmë. Në stërvitjen e fundit, Toti u detyrua të ndalojë për një dhimbje shumë të fortë. Kjo bëri që së bashku me përgatitësin atkletik, Vito Skala, të shkojë në vilën “Stuart” për t’iu nënshtruar një rezonance magnetike dhe një vizite me doktor Marianit, i cili e njeh më mirë nga të gjithë situatën.
Rezonanca nuk nxorri asnjë këputje ligamentesh në gju, por mbetet serioz problemi i fryrjes, i ndikuar nga një dëmtim i hershëm, që ka sjellë një zhvendosje dhe ka forcuar tendinat. Toti do të bëjë një kurë anti-fryrjeje për disa ditë dhe pastaj do të vlerësohet se ç’duhet bërë. Zgjidhja më e mirë është ajo që të pushojë për një muaj, por situata e Romës, që ka probleme edhe me dëmtimin e Luka Tonit, nuk e lejon.