Në fund ka luajtur. E ka bërë vetëm për 45 minuta, para se të zëvendësohej nga Hulio Baptista, por për Françesko Totin edhe ky aktivizim ka qenë një sukses. Pas frikës së një ndalese tjetër gjatë javës, kapiteni i Romës i ka siguruar të gjithë me prezencën e tij në ndeshjen e të shtunës në “Olimpiko”, edhe pse vetëm për një pjesë loje. Ranieri, në përfundim të ndeshjes, ka shpjeguar se duhet të tregohet i kujdeshëm në aktivizimin e tij.
Toti ka menduar për gjithça vetë, duke marrë një karton të verdhë që do ta detyrojë të mungojë në takimin e ardhshëm kundër Katanias. Më mirë kështu, sepse disa ditë pushim nuk do t’i bënin keq. Të shtunën në mengjes kishte një ide se mund të luante. Ranieri e ka grumbulluar me ekipin, por nuk mendonte ta aktivizonte menjëherë. Më pas, pak minuta para mbledhjes teknike, ka ardhur vendimi, që ka rezultuar i drejtë.
Toti, edhe pse jo në maksimumin e formës, ka dhënë pasimin në rastin e golit të parë të Brigit: “Ajo kundër Palermos ka qenë një fitore e shkëlqyer, - ka thënë kapiteni verdhekuq, - edhe pse nuk duhet të harrojmë se Milani ka një ndeshje për të rikuperuar. Jam shumë i lumtur për golat e realizuar nga Brigi, Hulio Baptista dhe Rise. Kampionati? Të shohim se çfarë do të ndodhë në takimet e ardhshme. Mungojnë akoma edhe shumë takime deri në fundin e sezonit”.