09 shkurt 2010

Të gatshëm për çdo sfidë

“Është e kuptueshme se pranvera do të jetë mjaft e vështirë, pasi që shumë skuadra janë të nivelit të njëjtë dhe të gjitha me futbollistë cilësorë. Mendoj se do të jemi njëra prej skuadrave që do të ngjitem sa më lartë në tabelë”, tha futbollisti i sapoardhur nga Prishtina, Mensur Limani.
Drenica e Skenderaj ambicie e ka që të përgatitet sa më mirë për stinorin pranveror të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Synimet e Drenicës janë më bindëse për plasman më të lartë në renditjen e tabelës prej se janë përforcuar me futbollistin e Prishtinës. Mensur Limani. Skenderajasit edicionin vjeshtor e përfunduan në vendin e nëntë me 21 pikë ose shtatë më shumë se i fundit në tabelë, Kosova e Vushtrrisë. Drenicën nuk e pret edhe punë e lehtë në garat e pranverës, por duhet të angazhohen në të gjitha drejtimet që t’i shmangen pjesës së poshtme të tabelës së klasifikimit. Limani iu është bashkuar përgatitjeve me Drenicën dhe sipas tij, është pritur në mënyrën më të mirë nga ky mjedis sportiv. Drejtuesit e kësaj skuadre thonë se është përforcim i qëlluar me Limanin dhe që kanë pasur nevojë për një futbollist në repartin e mesfushës. Mensur Limani ka thënë se ndihet fortë mirë në këtë mjedis dhe premton se do të arsyetoj veten me lojë në vazhdim të kampionatit.“Me Drenicën kemi arritur marrëveshje të mirë megjithëse kisha edhe oferta nga klubet të tjera. Ajo që më shtyri të nënshkruaj për Drenicën ishin kushtet më të mira, njëkohësisht kam edhe shumë shokë të mirë në klub. Besoj se do të arrijmë të përgatitem sa më mirë dhe t’i realizojmë objektivat që ka vënë klubi para vetes. Është e kuptueshme se pranvera do të jetë mjaft e vështirë, pasi që shumë skuadra janë të nivelit të njëjtë dhe të gjitha me futbollistë cilësorë. Mendoj se do të jemi njëra prej skuadrave që do të ngjitem sa më lartë në tabelë”, tha Limani. Kryetrajneri Valdet Shoshi ka thënë se përforcimi i ardhur nga KF Prishtina iu është dashur edhe më herët sepse ka mbuluar një zbrazësi në klub. “Më gëzon fakti së kryesia e skuadrës përveç përforcimit me tre futbollistë të rinj, më në fund ka angazhuar një mesfushorë më përvojë siç është Limani. Është kënaqi të kesh një futbollist si Limani në klub, dhe që mendoj do të jetë njëri prej bartësve kryesor në skuadër në pjesën pranverore”, tha Shoshi. Ambiciet e kësaj skuadre janë edhe të luftojë për trofeun e kupës së Kosovës. Ata me 24 shkurt i pret betejë shumë e vështirë në Gjakovë kundër Vëllaznimit dhe pas një jave zhvillohet ndeshja e kthimit. “Drenica për të gjitha sfidat që e presin në garat kampionale dhe atë për kupë do të jetë sa më e përgatitur. Mendoj se do të jemi arrë e fortë për secilin rival dhe synojmë të jemi në finalen e kupës së Kosovës”, theksoi Shoshi. Sa i përket kompozimit të skuadrës Shoshi thotë se: “Kjo do të ndodh gjatë disa ndeshjeve kontrolluese. Shpresojmë se kryesia e klubit do të gjej mundësinë që fazën e fundit të përgatitjeve të vazhdojmë diku jashtë Kosovës. Kjo do të ishte një mundësi të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore me skuadrat e shteteve të rajonit si dhe të gjejmë përbërjen më të mirë të skuadrës për ndeshjen për kupë kundër Vëllaznimit dhe për ndeshjet e kampionatit”.