09 shkurt 2010

Tardeli: E kisha parashikuar krizën e Juves

Ish-anëtari i këshillit bardhezi: Klubin e drejtojnë njerëz që s’kanë lidhje me futbollin

Juventusi është zhvendosur në mes të renditjes dhe tani është shumë e vështirë të kualifikohet për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Projekti i nisur nga Blanku me shokë pas rikthimit në Serinë A, është bllokuar ndjeshëm dhe llogaritë, pas skualifikimit europian nga Bajerni i Mynihut dhe shkarkimi i Ferrarës, nuk kthehen më. Ai që i ka hedhur “benzinë zjarrit” është Marko Tardeli, anëtar i këshillit administrativ bardhezi nga 2006 deri në 2007-ën: “E kisha parashikuar prej kohësh këtë situatë, - deklaroi kampioni i botës në “Spanjë ‘82″. - Personalisht e kam thënë shumë herë.

Projekti duhej të fillonte tri vjet më parë. Ndërkohë janë shpenzuar shifra shumë të larta, duke parë që rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin. Në gjendjen aktuale është e vështirë të individualizosh lojtarë të denjë për Juven, përveç Bufonit, Markizios, Kielinit e pak të tjerëve. Betega mund të ndihmojë shumë dhe të përmirësojë situatën, por gjëra të tilla unë i thoja kur isha në këshillin e klubit, por asnjë nuk më dëgjoi, sepse më shumë u pyetën ata që nuk kishin lidhje fare me futbollin”.

Fjalë të rënda të zëvendëstrajnerit aktual të kombëtares irlandeze, i cili flet hapur: “Sigurisht që ishte e nevojshme të fillohej më përpara puna me rinovimin e grupit. Tani duhet rithemeluar gjithçka, - vazhdon Tardeli. - Championsi edhe mund të arrihet, varet shumë nga riaftësimi i lojtarëve të dëmtuar që janë shumë. Iakuinta, Kamoranezi, Trezege, pa harruar as Sisokon që kohët e fundit ka luajtur pak. Ta shoh Juven në këtë situatë, më shqetëson shumë, sepse unë kam qenë pjesëtar i klubit dhe i kam thënë prej kohësh këto. Megjithatë jeta vazhdon dhe unë jam mirë gjithsesi, ndërsa ata pak më mirë… Sigurisht, mbetet një motiv zhgënjimi fakti që ua kemi besuar futbollin njerëzve që s’kanë të bëjnë fare”.