10 shkurt 2010

Sulmues me bollëk

Trajneri i përfaqësueses së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ka një problem të luksit: numrin e madh të sulmuesve të mirë. Gjashtë sulmues zviceranë janë në formë të shkëlqyeshme, 126 ditë para ndeshjes së parë që zhvillon Zvicra në Kampionatin botëror kundër Spanjës.
Gazeta e përditshme zvicerane, Blick ka përzgjedhur 6 sulmues në formë – dhe njëri prej tyre është pa dyshim sulmuesi i Nuernbergut, Alfred Bunjaku. Ky i fundit ka shënuar 10 nga 17 golat e skuadrës së tij në Bundesligë.
Madje bashkëlojtarin e tij, grekun Andreas Charisteas, Bunjaku tashmë e ka lënë nën hije.Por Charisteas thotë pa zili se gëzohem shumë për të.
“Bunjaku deri më tani ka zhvilluar vetëm një lojë për Kombëtaren e Zvicrës. Por me formën e tanishme, ai ka pothuajse të sigurt vendin në përfaqësuesen e Zvicrës në Kampionatin Botëror”, shkruan Blick të martën.
Përveç Bunjakut kandidatë për të shkuar në Kampionati botëror është edhe ish-sulmuesi i Borissia Dortmundit, Alexander Frei, i cili po shkëlqen në kampionatin zviceran me skuadrën e Baselit.
Edhe Eren Derdiyok është njëri nga kandidatët. Pas transferimit nga Baseli në Bayer Leverkusen, ai po shkëlqen. Ai ka realizuar 9 gola duke udhëhequr ekipin drejt vendit të parë në Bundesligë.
Hakan Yakın, turku me nënshtetësi zvicerane, është kandidati i radhës, i cili në 16 ndeshje ka realizuar 6 gola në fanellën e Luzernit, në elitën e futbollit zviceran.
Përveç këtyre, kandidatë për të shkuar në Kampionatin botëror është edhe sulmuesi i Twentes, Blaise Nkufo. Ky i fundit në 2006 ndeshje të zhvilluar për ekipin holandez ka realizuar 109.
Mirëpo, nëse Albert Bunjaku ftohet në përfaqësuesen e Zvicrës për Kampionatin botëror nuk do të jetë shqiptari i vetëm. Valon Behrami është futbollisti i cili e ka vendin e sigurt në skuadrën helvetike, derisa paraqitja e Blerim Xhemajlit mbetet në dyshim, për shkak të lëndimit të ligamenteve të gjurit.