05 shkurt 2010

Speciale, shorti për Europianin: Kuzhe optimist, por s’do Kroacinë në grup

Të dielën në orën 12:00, në Pallatin e Kulturës dhe Shkencës në Varshavë, në prani të delegacioneve të 53 vendeve pjesëmarrëse në eliminatoret e Euro 2012, do të nisë ceremonia e hedhjes së shortit të fazës kualifikuese në grupe të Euro 2012. Fjalimin përshëndetës do ta mbajë presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ndërsa sekretari i përgjithshëm Devid Tejlor, do të udhëheqë hedhjen e shortit. Krahas sekretarit të përgjithshëm Tejlor, do të jenë edhe katër emra të mëdhenj të futbollit polak dhe ukrainas, që kanë pranuar të përfaqësojnë vendet e tyre si ambasadorë të UEFA Euro 2012. Zbigniev Bonjek dhe Andzhej Sharmah, dy ish futbollistë të kombëtares polake, do të jenë përfaqësues të vendit të tyre, Polonisë, sikurse Andrej Shevçenko dhe Oleg Bllohin, që do të përfaqësojnë Ukrainën. Zbulimi një e nga një i golave do të shuajë emocionet e përfaqësuesve të 51 vendeve si dhe të tifozëve të shumtë në të gjithë Europën, që do të kenë mundësi ta ndjekin direkt këtë eveniment. UEFA, qeveria e futbollit europian, shpalli zyrtarisht vazot e skuadrave për shortin e Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të zhvillohen në Poloni e Ukrainë. Spanja, kampionia në fuqi e Europës, është midis nëntë ekipeve me koeficientin më të lartë për shortin kualifikues të Euro 2012, që do të hidhet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, më 7 shkurt 2010.

SHQIPËRIA NË VAZON 5

Kombëtarja jonë ndodhet zyrtarisht në vazon e pestë, së bashku Malin e Zi, Estoninë, Gjeorgjinë, Moldavinë, Islandën, Armeninë, Kazakistanin dhe Lihteshtejnin. Shqipëria ka koeficeientin 18′319 pikë dhe renditet si ekipi i 40-të më i fortë nga 53 ekipe përfaqësuese që janë të aderuara në UEFA. Shqipëria vjen menjëherë pas Malit të Zi (e 39-a, koefiecienti 18′751) dhe lë pas Estoninë (e 41-a, 17′792), skuadër me të cilën barazuam 0-0 në Talin, më 14 nëntor 2009.

PROCEDURA E SHORTIT

Për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, do të formohen nëntë grupe, ku përfshihen gjashtë grupe me nga gjashtë skuadra dhe tre të tjera me nga pesë skuadra, prej të cilëve në finale do të shkojnë 14 ekipe, që u bashkangjiten dy vendeve bashkëorganizatore, Polonisë dhe Ukrainës. Vazot e shortit janë kompozuar në bazë të koeficientit që ka çdo ekip kombëtar në renditjen specifike të UEFA-s, të finalizuar pas përfundimit të eliminatoreve të Kupës së Botës. Kampionia aktuale e Europës, Spanja, është automatikisht në krye të ekipeve të vazos me numër 1. Të gjitha grupet do të kenë nga një vend nga pesë vazot e para dhe gjashtë grupet e para do të kenë edhe nga një ekip prej vazos me numër 6.

KOMPETICIONI KUALIFIKUES

Ekipet në çdo grup do të luajnë kundër njëri-tjetrit me sistemin vajtje-ardhje, me një kalendar të programuar në marrëveshje me kalendarin ndërkombëtar midis shtatorit të vitit 2010 dhe tetorit të vitit 2011. Nëntë fituesit e çdo grupi kualifikohen direkt. Tetë ekipet e dyta do të zhvillojnë plejofe midis tyre në muajin nëntor 2011. Vendi i dytë më i mirë në raport me ekipet që renditen në vendet e para, të treta, të katërta dhe të pesta në grupet kualifikuese kualifikohet direkt.

Delegacioni i FSHF-së, të shtunën drejt Varshavës

Shorti i eliminatoreve të Euro 2012 është evenimenti më i rëndësishëm futbollistik i muajit shkurt. Këtë fundjavë, pikërisht më 7 shkurt, në Varshavë të Polonisë shqiptarët do të mësojnë emrat e kundërshtarëve, me të cilët do të përballemi gjatë dy viteve të ardhshme. Shqipëria, si çdo vend tjetër europian, do të përfaqësohet në hedhjen e shortit nga një delegacion i posaçëm, që do të kryesohet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Burime zyrtare pranë institucionit të futbollit kanë zbuluar se bashkë me Dukën do të udhëtojë edhe zëvendëspresidenti Lutfi Nuri. Sekretari i përgjithshëm, Eduard Prodani, dhe sigurisht trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, do të plotësojnë katërshen shqiptare, që do të marrë pjesë në hedhjen e shortit të Euro 2012.
Viza e Prodanit: Sekretari i përgjithshëm Eduard Prodani vetëm dje e ka kuptuar që i kishte skaduar viza shengen, pa të cilën e ka të pamundur të udhëtojë si pjesëtar i delegacionit shqiptar. FSHF është vënë menjëherë në lëvizje për ta siguar që sot vizën e re, duke u lidhur me ambasadën zvicerane. Për të mos pasur asnjë problem në këtë ambasadë, i është kërkuar ndihmë edhe institucionit më të lartë të futbollit në Europë, UEFA-s, që t’i dërgonte një ftesë sekretarit Prodani. Pritet që sot sekretari i FSHF t’i kryejë të gjitha procedurat dhe të pajiset me vizë.
Datat e ndeshjeve: Pas hedhjes së shortit, delegacionet e kombëtareve të grupit tonë, do të mblidhen veçmas për të diskutuar për datat e ndeshjeve. Në rastin më të mirë, datat mund të përcaktohen direkt pas shortit, kuptohet në mirëkuptim të plotë mes palëve, por sipas të gjitha gjasave, mund të lihet një takim tjetër në një prej vendeve të grupit. Detaje të mëtejshme do të mësohen vetëm pas mbledhjes së delegacioneve të grupit tonë.
Ndeshjet e para: Drejtuesit e FSHF-së dhe trajneri Josip Kuzhe kanë rënë dakord që të kërkojnë të luajnë jashtë Shqipërisë në ndeshjet e para të grupit tonë. Një kërkesë disi e çuditshme, por që ka të bëjë me kushtet e stadiumit “Qemal Stafa”. Prodani ka sqaruar se për efekt kohe do të ishte mirë që kombëtarja jonë të luajë jo në fillim të shtatorit. “Ne do t’u kërkojmë homologëve tanë që të luajmë jashtë në ndeshjet e para. Kjo për një arsye të thjeshtë, që ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të “Qemal Stafës”, - ka zbuluar Prodani. Fusha e ndërkombëtarit “Qemal Stafa” nuk është në gjendje të mirë, madje ka ardhur koha që tapeti i saj të ndërrohet. FSHF i ka bërë kërkesë MTKRS-së, që ta administrojë stadiumin, çka do të jepte mundësi të investonte për përmirësimin e kushteve.

Federata, e gjithë vëmendja nga shorti

Për një federatë futbolli, me mundësi të kushtëzuara financiare, që sigurisht varen nga të ardhurat e shitjes së të drejtës televizive, një kundërshtar me emër të madh do ta mbushte mirë arkën. E sigurisht do t’u jepte qetësinë e duhur punonjësve të federatës, pasi për vitet në vazhdim institucioni i futbollit në vend nuk do të kishte probleme financiare. Në zyrat e FSHF-së, dje punonjësit kanë nisur të bëjnë llogaritë se cili ekip do të na “afronte” më shumë parë, apo cilit kundërshtar të vazove të parë mund t’i marrim pikë. Preferencat janë të ndryshme. Dikush mendon që Gjermania në grup do të ishte maksimalja për arkën e federatës, por pse jo edhe Anglia. Nga eksperiencat e mëparshme përballja me këto skuadra ka sjellë përfitime të mëdha, por nga ana tjetër ekziston risku i madh për të mos marrë pikë me ta. Në vazon e parë, emri më i preferuar mbetet Italia. Fati nuk ka dashur që Shqipëria të ndeshet më parë me katër herë kampionët e botës. Ta jesh fqinj me Italinë nuk do të thotë doemos të të bjerë në short. “Axurrët” kanë mbështetje të madhe në Shqipëri, madje mund të jetë kombëtarja e parë që preferohet në Shqipëri. Sigurisht, një emër i madh si Italia nuk do të ishte keq edhe për rritjen e çmimit të së drejtës televizive. Spanja, Franca dhe Holanda janë më poshtë në listë sa u përket preferencave të punonjësve të FSHF-së. Kroacia, Portugalia dhe Rusia mund të jenë të pëlqyeshne në aspektin sportiv, pasi mendohet se këtyre kombëtareve edhe mund t’u merren pikë, por sa i përket të drejtës televizive, askush nuk do t’i preferonte. Përfaqësueset e Ballkanit, kryesisht Rumania, Serbia apo Bullgaria, janë më pak të preferuarat, pasi Shqipëria historikisht e ka pasur shumë të vështirë t’u marrë pikë, ndërsa Greqia dhe Slovenia, ndonëse marrin pjesë në botëror, konsiderohen “kafshata” të kapërdishme. Kur kalohet te vazot e mëposhtme, emrat lindorë janë më të frikshmit. Loja e kuqezinjve nuk i përshtatet aspak shpejtësisë së lindorëve dhe rezistencës së tyre fizike. Në të gjitha opsionet, Shqipëria e ka thuajse të pamundur të kualifikohet, por, ama, mund të ketë shansin e madh të mbushë dyfish arkën, krahasuar me shortin paraardhës. Ose e kundërta, fati t’i rezervojë kombëtare që nuk të sjellin përfitime financiare. Deri të dielën, kur të hidhet shorti, në federatë të gjithë e kanë mendjen nga horoskopi.

“Bixhoz” me të drejtën televizive të kombëtares

Delegacioni përfaqësues i Shqipërisë në shortin e fazës kualifikuese në grupe të Europianit 2012 do të shkojë drejt Polonisë për të “peshkuar” ndonjë kundërshtar me peshë dhe emër në futbollin e kontinentit tonë. Në funksion të këtij qëllimi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka preferuar të mos e shesë paraprakisht të drejtën televizive të ndeshjeve kualifikuese të kombëtares kuqezi për Euro 2012, sikurse bëjnë zakonisht kombëtaret e vendeve të ndryshme, por të presë hedhjen e shortit. Më pas të procedojë, duke rriskuar të fitojë sa më shumë nga e drejta televizive (por mund të rezultojë edhe e kundërta), me shpresën se një kundërshtar me emër do të na bjerë në grup. Një praktikë të tillë pune e ka ndjekur në fakt edhe para fazës kualifikuese në grupe, për Botërorin 2010, teksa priti hedhjen e shortit dhe pastaj shitjen e së drejtës televizive të ndeshjeve të kombëtares. Dhe goditi në shenjë, sepse “peshkuam” kundërshtarë të fortë, me yje në gjirin e tyre, të sojit Portugali, me Kristiano Ronaldon, Suedi me Zllatan Ibrahimoviçin etj. Për pasojë, të ardhurat ishin të majme për FSHF-në, e cila shpreson të ketë të njëjtin fat edhe kësaj here. Nisur nga vazoja, në të cilën e fillon shortin e kualifikueseve të Europianit të radhës Shqipëria, detyrimisht parashikohen kundërshtarë të fortë, kësisoj drejtuesit e futbollit tonë po i falën njërës anë të medaljes, asaj financiare. Që rrjedh nga e drejta televizive e ndeshjeve të kombëtares. Ana tjetër e medaljes, që ka të bëjë me një kualifikim të Shqipërisë për në finalet e Euro 2012, për këdo përbën më shumë se mrekulli, diçka të pamundur për mundësitë tona, kështu që sytë janë drejtuar nga paratë, për të cilat futbolli shqiptar ka më shumë se kurrë nevojë, sidomos në përmirësimin e infrastrukturës. Duke ditur se zëri më i madh i të ardhurave të FSHF-së është shitja e së drejtës televizive të kombëtares, presidenti Duka ka vendosur të riskojë, si një nuhatës dhe lojtar i mirë në biznes, duke preferuar të presë mësimin e kundërshtarëve në grup, për ta shitur më pas të drejtën televizive. Sepse të ardhurat nga kjo e fundit varen shumë nga emrat e kundërshtarëve në grup.

Kuzhe: Uroj të mos përplasemi me Kroacinë

Ndryshe nga presidenti Duka, që duhet të llogarisë edhe përfitimet financiare nga kualifikueset e Euro 2012, trajneri kuqezi, Josip Kuzhe, do të donte të kishte në grup kundërshtarë sa më të lehtë. Për të fituar sa më shumë pikë dhe për ta mbyllur edicionin në vende më lart se i parafundit. Por, nisur nga prognoza e shortit, referuar vazos në të cilën bën pjesë Shqipëria, pritet që vështirësia e grupit tonë kualifikues të jetë e lartë. Gjë të cilën e di mirë edhe Kuzhe, që para shortit të së dielës pohon: “I pres me qetësi verdiktet e shortit, pasi në Europë janë aq të pakta skuadrat e konsideruara të dobëta, të cilat do të dëshiroja t’i kisha kundërshtarë në grup, sa maten me gishtat e njërës dorë. Nisur nga vazoja ku bëjmë pjesë ne, parashikohet të kemi një grup të vështirë. Të cilit nuk i shmangemi dot. Në këtë mënyrë, si trajner nuk është se kam ndonjë preferencë, por ama nuk do të doja kurrsesi të përplaseshim me Kroacinë. Natyrisht, unë jam profesionist dhe nuk do të isha i pari që do të luaja kundër kombëtares së atdheut tim, por nëse do të ishte në dorën time, s’do ta dëshiroja Kroacinë në grup. Ju më pyesni për parapëlqimet e mia, para shortit. Nuk është e thjeshtë të shprehësh dëshirën për kundërshtarët që do të bien. Sigurisht kemi skuadra ndaj të cilave duam të luajmë dhe ndaj të cilave nuk duam. Do më pëlqente të përballeshim me Gjermaninë, ose më mirë të them në përgjithësi preferoj të luajmë me skuadra që zhvillojnë lojë të organizuar, jo me skuadra që kanë individualitete të mira dhe me skuadrat që zhvillojnë lojë kreative me lojtarë sulmues si Holanda apo Spanja. Do të më pëlqente edhe Zvicra, Turqia, Finlanda. Nga vazoja e katërt ndonjë skuadër e vendeve balltike dhe nga e fundit, ndonjë skuadër e lehtë si San Marino apo Luksemburgu, por jo Malta pasi nuk është ndonjë skuadër që të motivon. Nuk do më pëlqente të luaja kundër Kroacisë pasi është vendi im dhe do të ishte një përballje emocionale për mua. Gjithashtu ata kanë një skuadër të mirë dhe ne do kishim më shumë shanse për të zhvilluar ndeshje të mira përballë Francës apo Gjermanisë.“
Po cilat janë synimet e Josip Kuzhesë, në krye të kombëtares kuqezi, në eliminatoret e Euro 2012? “Kam ardhur për të qenë trajneri i Shqipërisë për eliminatoret e Europianit. I përdorëm ndeshjet e eleminatoreve të Botërorit për të krijuar një skuadër, një lojë tonën. Nuk mund të them se do të kemi një grup tjetër lojtarësh. Baza do të jetë ajo që kemi përdorur në vitin e shkuar, por ndoshta do të kemi mundësi të përfshijmë edhe disa lojtarë të rinj. Përsa u përket objektivave dhe ëndrrës së të gjithë shqiptarëve për ta parë kombëtaren kuqezi të kualifikuar, po ju them: Edhe unë shpresoj, pse jo, të mos shpresojmë. Ndoshta mund të tingëllojë si dicka joreale, por askush nuk na ndalon të shpresojmë. Unë kam ardhur këtu për të qenë i suksesshëm. Unë mendoj se edhe lojtarët janë të motivuar, tifozëria na pëlqen kur luajmë mirë, atëherë na lejoni ta provojmë”.

Duka: Duam një “big” në grupin tonë

Do të niset për në Poloni, ku do të hidhet shorti, në krye të delegacionit shqiptar. Me një objektiv, që të korrë fitoren e parë, jashtë fushe. Në postin e administratorit më të lartë të futbollit shqiptar, presidentit Duka i duhet ta vrasë mendjen edhe për anën financiare. Dhe eventi në prag duhet shfrytëzuar. Edhe pse “fati” gjendet brenda goglave të shortit. “Në pozitat ku do të jetë Shqipëria, para këtij shorti, shpresojmë të na bjerë në grup ndonjë kundërshtar “big”, i llojit Itali, Gjermani, Angli etj. Sepse në këtë mënyrë do të kishim mundësi të përfitonim të ardhura të konsiderueshme për futbollin shqiptar nga e drejta televizive e ndeshjeve të kombëtares. Një grup kualifikues me emra prestigjiozë për ne, në mënyrë të drejtpërdrejtë përkthehet në shuma më të mëdha financiare nga shitja e së drejtës televizive. Natyrisht, kjo është njëra anë e medaljes, ndërkohë që ana tjetër ka të bëjë me aspektin sportiv. Natyrisht, një grup me kundërshtarë të fortë i minimizon shanset për ndonjë kualifikim të mundshëm, por Shqipëria gjithnjë është treguar e madhe me të mëdhenjtë. Kështu që presim të kemi “të korra të mbara” nga shorti. Në të dyja aspektet,” - ka nënvizuar presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Tifozët kuqezinj “luten” për Italinë

Nëse drejtuesit e kombëtares bëjnë llogaritë e tyre, kush ato financiare, kush të pikëve, interes për shortin kanë edhe tifozët kuqezinj. Të cilët kanë parë të luajnë në ndërkombëtarin tonë “Qemal Stafa” mjaft skuadra të mëdha, si Anglia, Gjermania, Holanda, Rusia, Portugalia etj. Por, deri më tani, kapriçiot e shorteve të kualifikueseve për në Europian apo Botëror nuk kanë bërë të mundur ardhjen në Tiranë të kombëtares fqinje, të përtej Adriatikut, Italisë. Duke qenë se kampionati i këtij vendi, Seria A, është më i ndjekuri në vendin tonë, shumica e shqiptarëve bëjnë tifozllëk për Italinë në kompeticione të mëdha ndërkombëtare. Kësisoj, ata “lusin Zotin” që në grupin tonë kualifikues për Euro 2012 të bjerë edhe Italia. Meqë në kualifikueset e Botërorit 2010, kombëtarja “axurre” ishte në grupin kualifikues me fqinjin tonë, Malin e Zi, tifozë të shumtë shqiptarë udhëtuan drejt Podgoricës, për ta parë “live” skuadrën e drejtuar nga Marçelo Lipi. Ndërsa kësaj here shpresohet që kampionët në fuqi të botës të jenë mysafirë zyrtarë në Tiranë. Për të plotësuar kësisoj disa dëshira njëherësh; të drejtuesve të FSHF-së, për të ardhura të majme financiare nga shitja e së drejtës televizive, por edhe të tifozëve kuqezinj, që do ta mbushnin plot e përplot stadiumin kombëtar, duke ndjekur kombëtaren e tyre të preferuar, pas Shqipërisë.

8 stadiume për ndeshjet e Euro 2012

Ndeshjet e fazës finale të Euro 2012 do të luhen në 8 stadiume të Polonisë dhe Ukrainës, bashkorganizatore të turneut. Secili vend do të ketë katër stadiume. Polonia ka vënë në dispozicion impiantet e Varshavës, Gdanskut, Poznanit dhe Vroclavit, ndërsa Ukraina ato të Kievit, Donjeckut, Harkovit dhe Lvovit.

Pjesëmarrjet e Shqipërisë në kualifikueset në grupe të kampionatit Europian

1962-64 Në turin paraeliminator fituam aforfe me Greqinë për shkak të të ashtuquajturit “Ligji i luftës” dhe ndeshjet nuk u zhvilluan. Në 1/8 finale, fituam 1-0 me Danimarkën në Tiranë dhe humbëm 4-0 në Kopenhagen, duke u eliminuar.
1966-1968 (RFGJ dhe Jugosllavia)

Jugosllavia 4 3 0 1 8-3 6
RFGJ 4 2 1 1 9-2 5
Shqipëria 4 0 1 3 0-12 1

1970-72 Grupi 8

RFGJ 6 4 2 0 10-2 10
Polonia 6 2 2 2 10-6 6
Turqia 6 2 1 3 5-13 5
Shqipëria 6 1 1 4 5-9 3

1982-84 Grupi 6

RFGJ 8 5 1 2 15-5 11
Irlanda V. 8 5 1 2 8-5 11
Austria 8 4 1 3 15-10 9
Turqia 8 3 1 4 8-16 7
Shqipëria 8 0 2 6 4-14 2

1986-88 Grupi 1

Spanja 6 5 0 1 14-6 10
Rumania 6 4 1 1 13-3 9
Austria 6 2 1 3 6-9 5
Shqipëria 6 0 0 6 2-17 0

1990-92 Grupi 1

Franca 8 8 0 0 20-6 16
Cekosllovakia 8 5 0 3 12-9 10
Spanja 7 3 0 4 17-12 6
Islanda 8 2 0 6 7-10 4
Shqipëria 7 1 0 6 2-21 2

1994-96 Grupi 7

Gjermania 10 8 1 1 27-10 25
Bullgaria 10 7 1 2 24-10 22
Gjeorgjia 10 5 0 5 14-13 15
Moldavia 10 3 0 7 11-27 9
Shqipëria 10 2 2 6 10-16 8
Uellsi 10 2 2 6 9-19 8

1998-2000 Grupi 2

Norvegjia 10 8 1 1 21-9 25
Sllovenia 10 5 2 3 12-14 17
Greqia 10 4 3 3 13-8 15
Letonia 10 3 4 3 13-12 13
Shqipëria 10 1 4 5 8-14 7
Gjeorgjia 10 1 2 7 8-18 5

2002-2004 Grupi 10

Zvicra 8 4 3 1 15-11 15
Rusia 8 4 2 2 19-12 14
Irlanda 8 3 2 3 10-11 11
Shqipëria 8 2 2 4 11-15 8
Gjeorgjia 8 2 1 5 8-14 7

2006-2008 Grupi 7

Rumania 12 9 2 1 26-7 29
Holanda 12 8 2 2 15-5 26
Bullgaria 12 7 4 1 18-7 25
Bjellorusia 12 4 1 7 17-23 13
Shqipëria 12 2 5 5 12-18 11
Sllovenia 12 3 2 7 9-16 11
Luksemburgu 12 1 0 11 2-23 3

Trajnerët e kombëtares në europianë

Euro 62-64: Loro Boriçi, Zyber Konçi
Euro 66-68: Loro Boriçi
Euro 70-72: Loro Boriçi
Euro 82-84: Shyqyri Rreli
Euro86-88: Agron Sulaj
Euro 90-92: Bejkush Birçe, Agron Sulaj
Euro 94-96: Neptun Bajko
Euro 98-00: Astrit Hafizi
Euro 02-04: Xhuzepe Dosena, Hans Peter-Brigel
Euro 06-08: Oto Bariç
Euro 10-12: Josip Kuzhe

Ndarja e vazove për shortin të 53 ekipeve pjesëmarrëse në Euro 2012

Vazo 1: Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Kroacia, Portugalia, Franca, Rusia
Vazo 2: Greqia, Cekia, Suedia, Zvicra, Serbia, Turqia, Danimarka, Sllovakia, Rumania
Vazo 3: Izraeli, Bullgaria, Finlanda, Norvegjia, Irlanda, Skocia, Irlanda V., Austria, Bosnja
Vazo 4: Sllovenia, Letonia, Hungaria, Lituania, Bjellorusia, Belgjika, Uellsi, Maqedonia, Qipro
Vazo 5: Mali i Zi, Shqipëria, Estonia, Gjeorgjia, Moldavia, Islanda, Armenia, Kazakistani, Lihtenshtejni
Vazo 6: Azerbaixhani, Luksemburgu, Malta, Ish. Faroe, Andora, San Marino

Koeficienti i 53 ekipeve të Europës

1. Spanja 39′964
2. Gjermania 38′294
3. Holanda 37′821
4. Italia 35′838
5. Anglia 34′819
6. Kroacia 33′677
7. Portugalia 33′226
8. Franca 32′551
9. Rusia 32′477
10. Greqia 31′268
11. Cekia 30′871
12. Suedia 30′695
13. Zvicra 30′395
14. Serbia 29′811
15. Turqia 29′447
16. Danimarka 29′222
17. Sllovakia 28′228
18. Rumania 28′145
19. Ukraina 28′133
20. Izraeli 28′052
21. Bullgaria 27′198
22. Finlanda 26′827
23. Polonia 26′620
24. Norvegjia 26′210
25. Irlanda 25′971
26. Skocia 25′646
27. Irlanda V. 24′518
28. Austria 24′381
29. Bosnja 24′365
30. Sllovenia 24′221
31. Letonia 23′303
32. Hungaria 23′048
33. Lituania 22′071
34. Bjellorusia 21′515
35. Belgjika 21′426
36. Uellsi 21′274
37. Maqedonia 19′409
38. Qipro 18′791
39. Mali i Zi 18′751
40. Shqipëria 18′319
41. Estonia 17′792
42. Gjeorgjia 15′819
43. Moldavia 15′734
44. Islanda 15′404
45. Armenia 15′164
46. Kazakistani 14′730
47. Lihtenshtejni 13′581
48. Azerbaixhani 13′500
49. Luksemburg 11′872
50. Maltë 11′517
51. Ish. Faroe 10′620
52. Andora 9′197
53. San Marino 7′783