11 shkurt 2010

Spanja dhe Anglia “shkarkojnë” Leonardon

Shtypi iberik dhe ai anglez flasin për një largim të trajnerit kuqezi. Në vend të tij, gati Benitez
Në Spanjë janë të sigurt: në fundin e këtij sezoni Leonardo do të shkarkohet nga detyra si trajner i Milanit. Ky lajm vjen nga shtypi iberik, që e bazon arsyen për largimin e brazilianit te rezultatet e fundit zhgënjyese të skuadrës dhe te diferenca e madhe e pikëve që i ndajnë kuqezinjtë nga Interi.
Kështu, drejtuesit milanistë duket se po mendojnë për dy trajnerë spanjollë për të zëvendësuar Leonardon: Huande Ramos dhe Rafa Benitez, ky i fundit drejtuesi aktual i Liverpulit, për të cilin interesohet edhe Juventusi.
Por, për momentin, mundësia për të larguar Leonardon duket e parealizueshme, duke parë edhe të gjitha deklaratat pozitive që administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, ka bërë në favor të brazilianit. Në fillim të aventurës së tij në drejtim të kuqezinjve, Leonardo, siç dihet, ka pasur më shumë se një problem dhe nga Spanja është përmendur edhe më parë emri i Huande Ramosit, një nga trajnerët më të kuotuar në Gadishullin Iberik.
Edhe në Angli, pas Spanjës, qarkullojnë zëra lidhur me të ardhmen e teknikut të Milanit. Në bazë të shtypit britanik, klubi kuqezi duket se është vënë në gjurmët e Benitezit. Trajneri spanjoll mund të jetë i përzgjedhuri për të zëvendësuar Leonardon, duke filluar nga qershori i ardhshëm. Braziliani mund të largohet nëse Milani nuk do të sigurojë kualifikimin në Champions Ligë.
Kështu, për Benitezin parashikohet të zhvillohet një duel italian, midis Milanit dhe Juventusit. Në fakt, nuk duhet harruar se edhe klubi bardhezi interesohet për teknikun e “Të kuqve”. Por, është e vështirë të mendohet një transferim i Benitezit në Itali, për arsye se spanjolli do të kërkojë të marrë me vete një numër të madh bashkëpunëtorësh dhe do të pretendojë të mbulojë detyrën e drejtorit sportiv dhe atë të drejtorit teknik.