10 shkurt 2010

Sipas gazetës Blick: Bunjaku, në Botërorin 2010

Futbollisti që po dridh elitën e futbollit gjerman, Albert Bunjaku, sipas gazetës zvicerane, “Blick” e ka të sigurt vendin në Kombëtaren e Zvicrës për Kampionatin Botëror që mbahet gjatë verës në Afrikën e Jugut. Bunjaku ka arritur formën e lartë të një sulmuesit tipik dhe me lojëra që po dëshmon vazhdimisht në kampionatin gjerman po ia mbush syrin edhe përzgjedhësit zviceran, Ottmar Hitzfeld. Bunjaku me prejardhje nga Gjilani i Republikës së Kosovës, shumë shpejtë ka shpërthyer me lojëra të mrekullueshme dhe me gola në fanellën e Nyrnbergut. Ai deri më tash ka shënuar dhjetë gola në elitën gjermane, duke dëshmuar super-efikasitetin e tij. Sipas gazetës zvicerane “Blick” është sulmuesi i dytë në të cilin mund të llogaritë përzgjedhësi Ottmar Hitzfeld për Botërorin “Afrika e Jugut 2010”. “Bunjaku? Çfarë statistike, ai ka shënuar 10 nga 17 golat e Nyrnbergut. 26-vjeçari e ka lënë moti kohë në hije kampionin e Evropës nga viti 2004, Angelos Charisteas. Me formën që është duke kaluar, e ka të sigurt paraqitjen në Botëror”, shkruan gazeta “Blick”. Kjo gazetë e ka renditur Bunjakun të dytin në emëroren e gjashtë shënuesve. Ai është në mesin e sulmuesve Alexander Frei, Blaise Nkufo, Hakan Yakin, Eren Derdiyok, Marco Streller. Bunjaku i ka hyrë në zemër përzgjedhësit me tri gola që shënoi kundër Hannoverit, por edhe goli i fundjavës që ka realizuar kundër skuadrës së Stuttgardit. Albert Bunjaku është sulmuesi kryesore i skuadrës së Nyrnbergut, me të cilën skuadër mëtojnë sigurimin e ekzistencës në elitën e futbollit gjerman. Bunjaku të premten, me 12 shkurt, pret ta të dëshmohet fuqishëm në vijën e sulmit në ndeshjen e javës së 22-të si udhëtues kundër skuadrës së Moenchengladbachit. Skuadra e Nyrnbergut të gjitha shpresat i ka te Bunjaku për ta siguruar mbijetesën në elitë, duke u mbështetur në lojën e tij. Fundja, vlerësimet që vijnë për Bunjakun nga gazeta “Blick” bënë me dije se edhe në botëror do të jetë njëri prej sulmuesve që do t’i kryen shumë punë kombëtares së Zvicrës. Më një fjalë, për Bunjakun është shkruar gjerë e gjatë nga mediat gjermane e zvicerane dhe vetëm pritet ai të bëj më të mirën edhe për kombëtaren helvetike. Para disa ditësh edhe vetë Bunjaku ka deklaruar se për tre golat që ka shënuar kundër Hannoverit, përzgjedhësi zviceran i ka dërguar një SMS dhe e ka përgëzuar për lojën e tij fantastike.