09 shkurt 2010

Sibir në garë për Babajn

Skuadra nga Premierliga ruse, Sibir Novosibirsk ka hyrë në garë për t’i siguruar shërbimet e Shpëtim Babajt. Për këtë të fundit i interesuar është edhe klubi nga liga e parë ruse, Shinnik Yaroslavl dhe ai ukrainas Chernomorets Odessa.
“Edhe Sibir ka shprehur interesim për Babajn, i cili u ka pëlqyer shumë pasi kanë parë DVD e ndeshjes Gramozi - Real Madridi. Po ashtu edhe me Shinnik jemi në bisedime dhe presim të arrijmë ndonjë marrëveshje me njërin nga këto klube”, ka thënë menaxheri i futbollistit, Ismet Munishi.
Munishi tregon se klubet ruse qëndrojnë më mirë financiarisht dhe për këtë arsye destinacioni i mundshëm i Babajt është futbolli rus. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të arrijnë marrëveshje edhe me klubin ukrainas Chernomorets Odessa.
Edhe pse afati kalimtar për transferimin e futbollistëve në Evropë ka përfunduar më 31 janar, në Rusi dhe Ukrainë futbollistët mund të ndërrojnë mjedisin deri më 15 mars të muajit të ardhshëm
Ish futbollisti i KEK-ut, në pjesën e parë të kampionatit ishte pjesë e klubit shqiptar Gramozi nga Erseka. Me këtë skuadër kosovari ka pasur kontratë deri në fund të sezonit, mirëpo ka gjetur mirëkuptimin te drejtuesit e klubit për të ikur para kohe.
Babaj, gjatë karrierës së tij, ka veshur fanellën e Besës së Kavajës, të Elbasanit, klubit ukrainas Zorya Luhansk dhe atij nga Kazakistani, Shakhter Karagandy.