11 shkurt 2010

Shvajstajnger në planet e Juves

Ndërkohë që skuadra aktualisht po kalon një moment të vështirë, drejtuesit bardhezi janë duke projektuar ekipin e sezonit të ardhshëm.

Mesfushori 26-vjeçar i Bajernit të Mynihut pëlqehet shumë në Torino dhe duket se në merkaton e verës do të jetë një nga objektivat kryesorë të bardhezinjve. Madje drejtuesit e “Zonjës” kanë filluar të lëvizin që tani dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, pronari i klubit, Xhon Elkan, ka pasur kontakte me drejtuesit e Bajernit.

Futbollisti gjerman ka treguar nivel të lartë në lojën e tij gjatë sezoneve të fundit dhe mund të mbulojë disa pozicione në fushë. Megjithatë Juventusi mund të hasë në vështirësi për realizimin me sukses të ktij operacioni, vështirësi që kanë të bëjnë me çmimin e lartë të lojtarit (rreth 17-18 milion euro, shifër e papërballueshme për arkat e klubit, sidomos nëse Juventusi nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm).