08 shkurt 2010

Shorti i EURO 2012-ës Shqipëria bie në një grup me Francën

Është hedhur shorti i fazën kualifikuese në grupe për Euro 2012. Shqipëria ka rënë në grupin D, me kokë grupi Francën, ndërkohë që kundërshtarë të saj do të jetë edhe Rumania, Bjellorusia, Luksemburgu, Bosnje Hercegovina. Pra, kemi të bëjmë me një grup me 6 skuadra, mjaft i fortë, po të kemi parasysh emrat e tyre. Me shumicën e skuadrave të grupit jemi ndeshur në dekadën e fundit, ndërkohë që me francën kemi mjaft kohë pa u ballafaquar. Si kokë e grupit, në hedhjen e shortit, pa dyshim që skuadra e drejtuar nga rajmond domenek, me përbërje nga lojtarë të tillë si Benzema, Henry, Riberi etj, është favorite e padiskutueshme për tu kualifikuar, ndërsa pas saj duket se vjen Rumania, edhe ajo një skuadër elitare ballkanase.
Statistikat e grupit tonë
Shqipëria ka luajtur dy ndeshje eliminatore kundër Francës, të cilat i ka humbur, në kuadrin e “Euro 1992”. Jemi mundur në Tiranë 1-0, më 17 nëntor 1990, dhe 5-0 në Francë, më 30 mars 1991.
Shqipëria kundër Bjellorusisë ka luajtur dy ndeshje, në kuadrin e eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008, ku ka marrë 1 barazim dhe 1 humbje. Kuqezinjtë drejtoheshin nga kroati Oto Baric, me të cilin ka barazuar 2-2 në Minsk, me gola të shënuar nga Ervin Skela dhe Besnik Hasi, ndërsa është mundur 4-2 në në Tiranë, me gola të shënuar nga Erjon Bogdani dhe Edmond Kapllani.
Shqipëria kundër Bosnjës ka luajtur dy herë, ku ka marrë një fitore dhe një barazim. Të dyja ndeshjet kanë patur karakter miqësor. Në të parën, të luajtur në Tiranë, Shqipëria fitoi 2-0, me gola të realizuar nga Anesti Qendro dhe Enkelejd Dobi. Ndeshja u zhvillua më 30 nëntor 1995. Në po këtë vit, Bosnja kishte dalë nga lufta dhe ende nuk ishte pjesë e UEFA-s. Takimi i kthimit në Zenica të Bosnjës u mbyll në barazim pa gola.
Shqipëria kundër Luksemburgut ka luajtur 3 ndeshje, nga të cilat 2 i ka fituar, ndërsa njërën e ka barazuar pa gola. Barazimi pa gola daton më 13 shkurt 2002, në kohën kur kuqezinjtë i drejtonte Sulejman Demollari. Në dy përballjet e fundit ndaj Luksemburgut, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, Shqipëria e drejtuar asokohe nga kroati Oto Bariç i fitoi të dyja ndeshjet, si në Tiranë (2-0) ashtu dhe në Luksemburg (3-0), teksa sulmuesi Edmond Kapllani (atëherë në radhët e Karlsruhes) realizoi 3 gola, dhe nga një gol Altin Haxhi dhe Ervin Skela.

Duka: Shorti nuk u tregua bujar me ne
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i pranishëm në ceremoninë e Varshavës, analizon shortin e ekipit tonë përfaqësues. Reagimi i menjëhershëm i numrit 1 të futbollit shqiptar, është si më poshtë: “Shorti nuk është treguar bujar me Shqipërinë. Si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ajo financiare, skuadrat nuk ishin ato që dëshironim”.
Duke analizuar ekipet që bëjnë pjesë në Grupin D, presidenti Duka theksoi se skuadrat e vazos 2 (Rumania), 3 (Bosnjë Hercegovina) dhe 4 (Bjellorusia), ishin pikërisht ato, që Shqipëria nuk i preferonte: “ Për fat të keq në grup na ranë ekipe të forta dhe të “varfra” nga pikëpamja financiare. Të tria këto skuadra janë të forta dhe të vështira për Shqipërinë”- ka theksuar ai.
Presidenti Armand Duka e ka vlerësuar të gjithë shortin si shumë të vështirë, ndërkohë që e ka komentuar kështu, qenien “kokë” e Grupit D të Francës, nënkampione e botës: “Patjetër që është një nga skuadrat më të rëndësishme të botës. Një ekip shumë i vështirë nga pikëpamja sportive. Ishte 50% e shanseve që do të kërkonim nga ekipet e vazos së parë”- ka përfunduar Presidenti i FSHF-së.

FLASIN PËRFAQËSUESIT, PAS SHORTIT

Kuzhe: Short shumë i vështirë për Shqipërinë
Trajneri kuqezi, Josip Kuzhe, është shprehur menjëherë pas ceremonisë së njohjes së kundërshtarëve për fazën kualifikuese të kampionatit Europian 2012, se për Shqipërinë, shorti nuk ka qenë aspak dashamirës. “Është një grup i vështirë. Kundërshtarët, në individualitetet e tyre, janë të gjithë shumë të veçantë dhe të fortë. Mund të kishim shanse më të mira në vazot 3 dhe 4”-është shprehur trajneri Kuzhe.
Pavarësisht kësaj, trajneri i përfaqësueses shqiptare ka deklaruar se tashmë ndeshjet duhen vlerësuar të gjitha me të njëjtin seriozitet. “Do t’i studiojmë një për një kundërshtarët dhe do të kërkojmë të marrim më të mirën prej tyre”- ka përfunduar Kuzhe.

Gérard Houllier, drejtor teknik i Francës: “Nuk është aq e lehtë sa duket.

Rumania është një ekip i ashpër, me premise përmirësimi nga afrimi i lojtarëve të rinj. Shqipëria dhe Luksemburgu janë rivalë që mezi presin të luajnë me Francën, kështu që nuk do të jetë e lehtë t’i mundësh ato. Luksemburg mundi Zvicrën brenda në Zvicër. Ne e dimë se Shqipëria mund të ndërlikojë shumë gjëra në grupin tonë. Ndaj, unë kam shumë respekt për të gjitha ekipet e grupit, do të jetë e vështirë për të luajtur në stadiumet e tyre. Grupi është më i vështirë se sa duket.“

Razvan Lucescu, trajneri i Rumanisë: “Ky mund të jetë grupi më i vështirë, sepse është me të vërtetë i ekuilibruar. Të gjitha ekipet kanë mundësi për të shkaktuar ndonjë surprizë. Bosnje Hercegovinë dhe Bjellorusia janë dy kombëtare, që po bëjnë përparime të mëdha. A po e lë Varshavën i lumtur apo i trishtuar? Unë do të largohem që këtej duke menduar seriozisht në lidhje me këtë grup.”

Safet Sušić, trajneri i Bosnje Herzegovinës: “Unë mendoj se ishim me fat. Franca duket e favorizuar, pasi ka lojtarë të mëdhenj. Unë besoj se do të luftojmë me Rumaninë për vendin e dytë, edhe pse skuadra të tjera nuk duhet të nënvlerësohen. Bjellorusia dhe Shqipëria janë në gjendje për të bërë të papritura. Konkurrenca në këtë grup do të jetë i madh. Para se të tërhiqeshin goglat, kam dëshiruar shumë që të shmangia Spanjën, Portugalinë dhe Hollandën, por nuk mund të ketë ekipe të dobëta në grupin tonë. Loja kundër Francës do të jetë edhe një emocion personal, pasi kam kaluar disa vite me Paris SG. Unë mendoj se kam një skuadër, që mund të realizojë një ëndërr, duke e dërguar Bosnje Hercegovinën në finalet e Europianit.”

Bernd Strange, trajneri i Bjellorusisë: “Ne jemi me fat, që nuk kemi rënë në të njëjtin grup me Spanjën, Italinë apo Anglinë. Këto tri ekipe janë më të fortat në Europë, edhe pse nuk mund të nënvlerësojmë Francën. Unë jam i kënaqur që tifozët bjellorusë do të shohin lojtarë yje, si Franck Ribéry, Thierry Henry dhe Samir Nasri. Në të njëjtën kohë nuk jam i lumtur që jam në një grup me Rumaninë, Shqipërinë dhe Luksemburgun, pasi kemi luajtur me këto ekipe në kualifikueset e EURO 2008. Bosnje Hercegovina ka një grup të mirë lojtarësh, që luajnë për klubet e mëdha. Edini Džeko dhe Misimović Zvjezdan janë aktorët e vërtetë, që mund ta cojnë përpara këtë ekip.”

Guy Hellers, trajneri i Luksemburgut: “Ne jemi gjithmonë “offside“. Për ne, të gjithë lojtarët janë gati amatorë. Imagjinoni, do të luajmë kundër një ekipi tepër të lartë, Francës, cka do të jetë një experience, që Luksemburgu kurrë nuk do ta harrojë. Ne s’kemi asgjë për të humbur. Do të japim gjithcka në çdo ndeshje. Do të luajmë me respect, por pa frikë ndaj kujtdo. Ndoshta ekipet e tjera nuk do të jenë aq të motivuar kur luajnë me Luksemburgun, kështu që çdo gjë mund të ndodhë.”

Shorti i Grupi G, më 19 shkurt në Luksemburg
Federatat e vendeve të të njëjtit grup, brenda 30 ditëve nga 7 shkurti i hedhjes së shortit në Varshavë, duhet të mblidhen dhe të procedojnë me një tjetër short, për të fiksuar edhe kalendarin e ndeshjeve mes tyre, ndërkohë që datat janë të përcaktuara tashmë. 12 datat e mëposhtme janë të rezervuara për grupet, që të luajnë të gjitha ndeshjet kualifikuese: Përfaqësuesit e Grupit G, grupit tonë kualifikues, e kanë fiksuar datën 19 shkurt, që në Luksemburg të takohen e të përcaktojnë ndeshjet sipas datave respektove.

a) 3 / 4 dhe 7 shtator 2010
b) 8 / 9 dhe 12 tetor 2010
c) 25/26 dhe 29 mars 2011
d) 3 / 4 dhe 7 qershor 2011
e) 2 / 3 dhe 6 shtator 2011
f) 7 / 8 dhe 11 tetor 2011

Më poshtë, ja edhe grupet e plota të Euro 2012, që do të luhet në Poloni dhe Ukrainë.

Grupi A:
1.Gjermania
2.Turqia
3.Austria
4.Belgjika
5.Kazakistani
6.Azerbaijxhani

Grupi B:
1.Rusia
2.Sllovakia
3.Irlanda
4.Maqedonia
5.Armenia
6.Andorra

Grupi C:
1.Italia
2.Serbia
3.Irlanda Veriut
4.Sllovenia
5.Estonia
6. Ishujt Faroe

Grupi D:
1.Franca
2.Rumania
3.Bosnia-Hercegovina
4.Bjellorusia
5.SHQIPERIA
6.Luksemburgu

Grupi E:
1.Holanda
2.Suedia
3.Finlanda
4.Hungaria
5.Moldova
6.San Marino

Grupi F:
1.Kroacia
2.Greqia
3.Izraeli
4.Letonia
5.Gjeorgjia
6.Malta

Grupi G:
1.Anglia
2.Zvicra
3.Bullgaria
4.Uellsi
5.Mali i Zi

Grupi H:
1.Portugalia
2.Danimarka
3.Norvegjia
4.Qipro
5.Islanda

Grupi I:
1.Spanja
2.Repubblika Ceke
3.Skocia
4.Lituania
5.Lihtenshtejni