16 shkurt 2010

Shengyli jep dorëheqje, Krasniqi kryetrajner i Prishtinës

Skënder Shengyli ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit të skuadrës së futbollit Prishtina. “Kryetrajneri i deritanishëm i FC Prishtina, Skënder Shengyli, sot ka dhënë dorëheqje, shkaqet janë personale. Në vend të tij është emëruar Ramiz Krasniqi”, njoftohet në komunikatën e KF Prishtina. Pas dorëheqjes së Besnik Kollarit gjatë edicionit vjeshtor për shkak të rezultateve të dobëta, ky është trajneri i dytë që largohet nga Prishtina. Për dallim nga Kollari, Shengyli ka pasur rezultate më të mira me Prishtinën. Dorëheqja e tij ka qenë e papritur për njohësit e këtij sporti dhe sidomos edhe për vet kreun e KF Prishtinës. Kampioni në fuqi stinorin vjeshtor e ka përfunduar në vendin e tetë të tabelës së klasifikimit me 23 pikë të tubuara. KF Prishtina, të enjten, në orët e mëngjesit udhëton në drejtim të Ulqinit të Malit të Zi, në të cilin vend do t’i vazhdojë përgatitjet. “Ekspedita e KF Prishtina e përbërë nga 30 anëtarë niset për në Ulqin të enjten, në orën 07.30”. thuhet në njoftimin e drejtorit gjeneral të kësaj skuadre, Edmond Rugovës.