12 shkurt 2010

Salihi, “vrasësi” gjakftohtë i Rapidit

Askush nuk është më agresiv përpara portës se sulmuesi shkodran. Salihi ka shënuar deri tani në kampionat 12 gola, nga këto 10 me Rapidin e Vjenës.Kryesuesit e kampionatit austriak synojnë titullin e 33-të në historinë e tyre dhe një nga protagonistët e këtij sezoni është pa dyshim bomberi shkodran, autor i 10 golave me fanellën e kryeqytetasve (2 gola i ka shënuar me Riedin në fillim të kampionatit). Ai ka punuar fort gjatë ndërprerjes së kampionatit, në mënyrë që ta bindë trajnerin Peter Pakult, t’i gjejë një vend në formacionin e parë.
“Qëllimi im është të shënoj më shumë gola në krahasim me sezonin paraardhës dhe deri tani ia kam dalë”, shprehet sulmuesi i kombëtares kuqezi në një intervistë për gazetën austriake “Kurier”. Ai dallohet sidomos për gjakftohtësinë e tij në zonën e rreptësisë (ish-trajneri i kombëtares, Oto Bariç, e cilësoi si Gerd Myleri shqiptar): “Para portës jam gjithnjë agresiv dhe për më tepër jam shumë i qetë. Këtë nuk di si ta shpjegoj”.