05 shkurt 2010

Roziçki, i lumtur për rinovimin me Arsenalin

Tomas Roziçki ka shprehur kënaqësi për firmosjen e kontratës së tij të re me Arsenalin dhe ka pohuar se ishte i bindur se do të qëndronte edhe më tej. Lojtari çek ka rënë dakord me kontratën që i është ofruar dhe ka shprehur optimizimin se ky sezon do të jetë më i mirë për të. Ai ka pësaur disa lëndime radhazi dhe nuk ka luajtur kohët e fundit, por është shpërblyer për lojërat e mira që ka treguar kur ka ardhur në formë. Ai këmbëngul se ishte shumë i lumtur që do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së Arsen Vengerit, duke mohuar zërat se ka nënshkruar një kontratë të tipit ‘paguhesh për aq sa luan’. “Gjërat që kanë qarkulluar në media janë gjepura.
Për shembull, gjoja Arsenali fshihte diçka, sepse refuzonte të tregonte kohëzgjatjen e kontratës. Nëse shikoni me kujdes, klubi nuk publikon detaje të tilla për asnjë lojtar. Kjo është e drejta e tyre. Nuk ka sekrete. Diku tjetër kam lexuar se unë kam firmosur një kontratë me opsion zgjatjeje, por e vërteta është se nuk ka opsion të tillë.” Roziçki gjithashtu ka thënë se ishte i interesuar ta kishte këtë kontratë sa më shpejt, për të larguar thashethemet se mund të transferohej diku tjetër.
“E dija që, nëse nuk do të nënshkruaja sa më shpejt, do të isha më pas lojtar i lirë dhe mund të bisedoja me çdo klub tjetër. Prandaj e desha kontratën e re që më 1 janar . Arsenali ka qenë dhe është prioriteti im dhe për këtë arsye ua preva rrugën spekulimeve”, ka shtuar lojtari çek i Arsenalit.