10 shkurt 2010

Robinho kundër Mancinit

Robinho ka kritikuar menaxherin e Manchester Cityt, Roberto Mancini për mosdhënien e lirisë së mjaftueshme. Ylli brazilian muajin e kaluar ishte huazuar tek ish-klubi i tij, Santos dhe në debutimin e tij shënoi golin e fitores 2-1 ndaj Sao Paulos.
Duke komentuar taktikat e Mancinit, Robinho i tha tabloidit anglez, The Daily Mail: “Ai ka mënyrë tjetër të mendimit. Në Brazil, trajnerët respektojnë karakteristikat e futbollistëve”.
Robinho u transferua në City si përforcimi më i shtrenjtë në futbollin anglez për 32.5 milionë funta në verën e vitit 2008 dhe bëri ndikim të menjëhershëm duke përfunduar sezonin e tij të parë si golashënuesi më i mirë i ekipit.
Por, ky edicion ishte tregim tjetër, së pari nën drejtimin e ish-menaxherit Mark Hughes, e pastaj Mancinit, Robinho kaloi të shumtën e kohës në bankinë.
“Në Evropë, janë mësuar të luajnë me dy linja nga katër futbollistë dhe nuk duan të dinë se çka mund të bëni. Andaj, nëse jeni sulmues, trajneri ju dërgon në fushë vetëm për të vrapuar. Ju duhet të vraponi dhe kjo është e tëra”, shtoi ai.
Robinho pritet të rikthehet në City pas Kampionatit botëror dhe beson se do të arrijë të tregojë talentin e tij në Afrikën e Jugut.
“Jam i përgatitur në mendje dhe fizikisht të jem futbollisti më i mirë në Kampionatin botëror. Jam në moshë të mirë, duhet të filloj fluturimin”, përfundoi ai.
Robinho ka shprehur pakënaqësinë e tij në Eastlands, mirëpo edhe ish-drejtuesit e ekipit kanë mendim të ngjashëm për paraqitjet e tij. Mark Bowen, ndihmësi i ish-menaxherit Mark Hughes ka thënë se braziliani kurrë nuk tregoi vlerën e tij në Premierligë.
“Ai ka zhgënjyer plotësisht, e sidomos në ndeshjet në udhëtim. Mendoj se fizikisht ai nuk ishte i gatshëm për sfidat në Premierligë. Nuk ka dyshim se pas kalimit në ndonjë ligë tjetër ose rikthimi në Brazil, ku zhvillohet model i ndryshëm i futbollit, do t’i përshtatet atij më mirë. Ne gjithmonë kemi besuar se ai do të mësohet me Premierligën, por nuk ishte në gjendje t’i përballojë sfidat”, tha Bowen.