12 shkurt 2010

“Riformatohet” Tirana: Muka trajner, Tafaj drejtor teknik

Analiza e zhvilluar dje në mjediset e klubit është shoqëruar me ndryshime në stafin e ekipit bardheblu.Para fillimit të stërvitjes së djeshme Tirana zhvilloi një analizë në të cilën ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të klubit. Pas humbjes 2-0 në Kavajë të mërkurën në Kupën e Shqipërisë, situata bëhet edhe më e vështirë për kampionët në fuqi. Prandaj, për pjesën e mbetur të sezonit bardheblutë do të kenë një staf të ri.
Vetë presidenti Refik Halili pohoi se prej ditës së djeshme Devi Muka do të drejtojë skuadrën, përveçse do të luajë në fushë. Në krah të tij do të jetë Astrit Nallbani, ndërkohë që Alban Tafaj, i pezulluar një vit nga federata, do të jetë në pozicionin e drejtorit teknik.
Por Devi Muka ka deklaruar se do ta bëjë këtë detyrë derisa të gjendet një trajner tjetër. “Kam ende për të dhënë në fushën e lojës, madje jam në formën time më të mirë. Do ta bëj këtë detyrë deri në gjetjen e një trajneri tjetër”, tha kapiteni i ekipit bardheblu.